I dënuari me burgim arratiset nga QKUK-ja, ndëshkohen dy zyrtarë korrektues

I dënuari me burgim prej katër vitesh është arratisur sot nga QKUK-ja.

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se i burgosuri me inicialet F.M. ka ikur rreth orës 03:10 të mesnatës.

Ai ishte hospitalizuar më 16 shkurt nga Qendra Korrektuese e Dubravës në QKUK në repartin e Onkologjisë.

“I dënuari në fjalë është hospitalizuar më datë 16.02.2026 nga Qendra Korrektuese në Dubravë në QKUK, në repartin e Onkologjisë, kati i dytë, dhoma nr. 2, së bashku me pacientë të tjerë”, thuhej në njoftimin e SHKK-së.

I njëjti është i dënuar për Veprën Penale Vjedhje e Rëndë, është arrestuar më 24.10.2025 dhe është duke mbajtur dënimin me burgim në kohëzgjatje prej katër (4) vitesh dhe do të lirohej më 08.06.2029.

“Menjëherë pas rastit, është njoftuar Policia e Kosovës dhe është themeluar komision i brendshëm hetimor administrativ për të shqyrtuar rrethanat e arratisjes dhe dyshimet për shkelje eventuale nga zyrtarët korrektues që kanë qenë përgjegjës për sigurinë dhe prezencën e tij”, thuhet në arsyetimin e SHKK-së.

Komisioni disiplinor, si masë e menjëhershme, ka pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues deri në përfundim të procedurave hetimore.