Më 17 janar 2018, pasi e kishte paralajmëruar ardhjen, ai është arrestuar, pa ushtruar rezistencë, në Aeroportin e Cyrihut. Menjëherë pas kësaj ai është bartur në burg, ku do të vuajë dënimin me 17 vjet heqje lirie.
Kur i ishte shqiptuar dënimi me 17 burg për vrasje të rëndë dhe vrasje me paramendim, në fund të vitit 2016, Demo B. ndodhej në Kosovë. Tash ai është kthyer nga “pushimi i gjatë” dhe është paraqitur për vuajtje të dënimit në Zvicër, shkruan solothurnerzeitung.ch..
Dema së bashku me të birin, në verën e vitit 2012 në Oensingen të Kantonit Solothurn kishte plagosur për vdekje dy persona. Edhe ata ishin babë e bir, miq familjarë, po ashtu nga Kosova, siç ka shkruar atëbotë edhe albinfo.ch. Dy vrasësit i ishin dorëzuar policisë po atë natë.
Por përderisa i riu pas paraburgimit e kishte vazhduar vuajtjen e dënimit pa shkëputje, babai i tij qe liruar përkohësisht nga paraburgimi. Për pjesëmarrjen në procesin në Gjykatën e Lartë (kantonale) ai kishte paraqitur një dëshmi mjeku dhe ndërkohë po qëndronte me pushime në Kosovë.
Verën që shkoi, personi sot 55 vjeçar po kërkohej me fletarrest ndërkombëtar ndërsa nga fundi i korrikut 2017 ai tashmë ishte arrestuar në Kosovë, ransmeton albinfo.ch. Atëbotë ishte thënë se personi me shtetësi të dyfishtë, zvicerane dhe kosovare, nuk do të ekstradohej në Zvicër. Kjo me shpjegimin se dënimi i tij nga Zvicra ishte “përkthyer” dhe ai mund ta vuante atë edhe në Kosovë.
Por në fakt ky pohim nuk ka qëndruar. “Nga fillimi i vitit, (2018) Demo B. ua ka komunikuar autoriteteve të burgjeve në Solothurn kthimin e tij në Zvicër”, thuhet në një komunikatë nga kancelaria e shtetit.
Kështu, më 17 janar 2018, pasi e kishte paralajmëruar ardhjen, ai është arrestuar, pa ushtruar rezistencë, në Aeroportin e Cyrihut. Menjëherë pas kësaj ai është bartur në burg ku do të vuajë dënimin me 17 vjet heqje lirie.
I biri, sot 29 vjeçar, është duke e vuajtur dënimin me 20 vjet heqje lirie./Albinfo.ch/