Shërbimi Korrektues i Kosovës ka bërë të ditur se sonte rreth orës 22:00 në Burgun e Sigurisë së Lartë, i burgosuri me inicialet E.G është gjetur i varur në dhomën e tij, me puls të dobësuar.
“Menjëherë ka reaguar stafi korrektues, ekipi mjekësor i institucionit si dhe emergjenca e qytetit. Pavarësisht përpjekjeve për ofrimin e ndihmës mjekësore, i burgosuri nuk ka arritur të rikthehet në jetë”, ka bërë të ditur SHKK-ja.
I ndjeri ishte i dënuar për dy vepra penale të dhunimit. Ai ishte pranuar në institucion më 15.08.2024, ndërsa lirimi i tij ishte paraparë më 01.03.2048.
“Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori kompetent. Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti Shëndetësor i Burgjeve kanë iniciuar procedurat hetimore dhe administrative për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhej më tej.










