I burgosuri i Dubravës e pranon grabitjen – Prokuroria s’bindet, i mbyll hetimet

Rrëfimi i Fitim Latifit tashmë ka mbetur në atë copë letër, të cilën e kishte shkruar në Burgun e Dubravës, në prill të 2024-tës.

Deklarimi i 26 vjecarit, e trazoi prokurorinë dhe hapi dyshime të mëdha nëse ishte dënuar njeriu i gabuar për rastin e tentim grabitjes në Gjilan në vitin 2018.

Dosja e tentim grabitjes u hap, por shumë shpejt u mbyll.

Pas dy muajsh hetime ndaj Latifit, Prokuroria Themelore në Gjilan e hodhi poshtë këtë dëshmi dhe mbylli hetimet ndaj Latifit, me arsyetimin se “nuk kishte prova”.

“Gjatë fazës së hetimeve nuk është argumentuar me asnjë provë konkrete se Fitim Latifi ka kryer këto vepra penale, andaj Prokuroria Themelore në Gjilan, më datë 03.03.2025 me aktvendim ka pushuar hetimet ndaj Fitim Latifit, pasi nuk ka ekzistuar dyshimi i arsyeshëm se i njëjti ka kryer veprat e lartëshënuara penale”.

Si shkak i kësaj, 29 vjecari Kastriot Shala nga Prishtina do të vazhdoj të qëndroj prapa grilave edhe 2 vjet e 9 muaj sa i kanë mbetur, për një krim për të cilin thotë se nuk e ka bërë.

Njëjtë do të ngjan edhe me të akuzuarin tjetër Leutrim Latifi.

Dënimi i tyre ka kaluar nëpër të gjitha shkallët e drejtësisë. Të gjitha me një epilog të njëjtë, fajësi.

Fillimisht, në shkurt të vitit 2023, Gjykata Themelore e Gjilanit e shpalli fajtor Kastriot Shalën dhe Leutrim Latifin për tentim grabitje dhe armëmbajtje pa leje, duke i dënuar me nga 2 vjet e 3 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë.

Por ky dënim, Prokurorisë iu duk i ulët.

Me ankesën e saj, çështja shkoi në Gjykatën e Apelit, e cila ia rriti dënimin për 4 vjet e 6 muaj burgim për secilin. Dyfishim i dënimit e dyfishim i dyshimeve për mbrojtjen.

Ndërsa mbrojtja e Shalës, nisi betejën për ta dëshmuar pafajësinë e klientit të tij.

Avokatja Njozma Gashi Rrustolli, kërkoi që aktgjykimi të anulohej, që rasti të kthehej në rishqyrtim, të dëgjohej zëri i atyre provave që, sipas saj, nuk ishin marrë parasysh.

Të njëjtën kërkesë e ka edhe tani, ani pse i gjithë procesi i gjykimit ka përfunduar.

I dëmtuari fillimisht kishte deklaruar se ishte lënduar, madje për këtë kishte edhe raport mjekësor. Ndërsa, më vonë sipas avokatës, ai e kishte mohuar.

Sipas saj, i akuzuari Kastriot Shala, cdo herë e ka mohuar se ka gisht në këtë rast, njofton Klankosova.tv.

Më 17 maj 2023, Gjykata Supreme e Kosovës i vuri vulën përfundimtare, kërkesa e mbrojtjes u refuzua. Aktgjykimi i Apelit u la në fuqi.

Kastriot Shala e Leutrim Latifi vazhdojnë ta vuajnë dënimin.

Pavarësisht se e gjithë procesi gjyqësor është përmbyllur, avoktatja Gashi Rrustolli ka njoftuar se edhe njëherë do të kërkoj nga Prokuroria e Shtetit, të verifikoj arsyet e pushimit të hetimeve nga Prokuroria e Gjilanit dhe vërtetimin e aktvendimit nga Apeli.