Policia e Tiranës dhe e Fushë-Krujës është vënë në ndjekje të një të riu, i cili dyshohet se ka kryer të paktën tre vjedhje me armë zjarri brenda pak orësh, duke krijuar panik në disa zona nga Tirana deri në veri të Shqipërisë.
Sipas të dhënave, i dyshuari ka marrë fillimisht një taksi në zonën e Tajvanit në Tiranë, duke kërkuar të dërgohej në Fushë-Krujë. Gjatë rrugës, pranë Tapizës, ai ka kërcënuar taksistin me armë zjarri, i ka marrë kontrollin e mjetit, paratë dhe celularin, ndërsa drejtuesin e taksisë e ka lënë në një zonë të largët.
Më pas, me të njëjtin mjet, i riu është drejtuar drejt një pike karburanti në afërsi të Milotit, ku nën kërcënimin e armës i ka marrë punonjësit paratë e xhiros ditore.
Pas kësaj, automjeti është gjetur i braktisur pranë një xhamie në Fushë-Krujë, ndërsa autori është larguar në këmbë, i armatosur. Ai vijon të jetë në kërkim intensiv nga forcat e policisë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se i riu është identifikuar plotësisht dhe rezulton me precedent të mëparshëm penal, i dënuar më herët për vepra penale në fushën e mashtrimit, transmeton JOQ.
Policia po vijon kontrollet në zonë dhe apelon për kujdes, ndërsa çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e tij po verifikohet.










