Hyrja e xhandarmërisë serbe brenda territorit të Kosovës dhe rrëmbimi i një serbi: Çka dihet deri më tash?

Me datën 1 nëntor të këtij viti, xhandarmëria serbe po dyshohet se ka hyrë brenda territorit të Kosovës, kah ana e Leposaviqit.

Megjithatë, për këtë rast, tek dje bëri të ditur Policia e Kosovës.

Madje, sipas Policisë, xhandarmëria serbe hyri brenda territorit, e plagosi një serb dhe e rrëmbyen atë.

“Me datën 01.11.2025, Policia e Kosovës, ka pranuar një informacion se në zonën e Leposaviqit, një person (M. V.), shtetas i Republikës së Kosovës, (i nacionalitetit serb), dyshohet se është plagosur dhe është rrëmbyer brenda territorit të Republikës së Kosovës, nga xhandarmeria serbe. Vendi i ngjarjes ku raportohet se ka ndodhur rasti dyshohet se gjendet brenda territorit të Republikës së Kosovës, pra brenda hapësirës (siç quhet pika zero -0-), në afërsi të zonës së Leposaviqit, në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, ku për këtë Policia e Kosovës ka njoftuar dhe ka bashkëpunuar me KFOR-in, si përgjegjëse për zonën/brezin kufitar”, thuhet në komunikatë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, ka ndërmarrë veprimet e saja hetimore, duke intervistuar dëshmitarë të rastit, përmes të cilëve janë siguruar informacione se disa persona të maskuar kishin hyrë në territorin e Republikës së Kosovës, duke e plagosur dhe rrëmbyer viktimën të cilët pastaj e kishin dërguar në territorin e Serbisë, ku sipas dëshmitarëve me një autoambulancë e kanë dërguar në drejtim të qytetit të Nishit në Serbi”, theksohet më tutje.

Pas njoftimit të Policisë, reagoi edhe KFOR-i.

KFOR është përgjigjur për Gazetën Nacionale në lidhje me komunikatën e Policisë së Kosovës se një serb i Kosovës është plagosur dhe rrëmbyer nga xhandarmeria serbe. Sipas KFOR-it, policia ka nisur hetime dhe se janë në kontakt.

“Ne jemi në dijeni për këto raportime. Situata e sigurisë përgjatë Vijës Administrative (ABL) është e qetë. Policia e Kosovës (PK) ka nisur një hetim dhe mbetet në kontakt të ngushtë për këtë çështje me disa entitete, përfshirë KFOR-in. PK ka koordinuar aktivitetet përkatëse në anën e Kosovës të ABL-së me KFOR-in. Për çdo koment të mëtejshëm, ju referoj Policisë së Kosovës.” – thuhet në përgjigjen e KFOR.

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar për plagosjen dhe rrëmbimin e një qytetari të Kosovës, nga xhandarmeria serbe.

Sveçla tha se u shkel rëndë kufiri jonë shtëtëror dhe e drejta e qytetarëve tanë.

Ai i ka bërë thirrje faktorit ndërkombëtar të reagoj.

“Në vazhdën e politikave të saj të frikësimit dhe përndjekjeve ndaj qytetarëve që nuk i binden regjimit të Vuçiqit, xhandarmëria serbe ka plagosur duke tentuar ta vrasë dhe më pas e ka rrëmbyer një qytetar me inicialet M.V, shtetas i Republikës së Kosovës. Ky është një akt i përsëritur dhe i pandëshkuar. Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale të Serbisë hynë brenda territorit tonë dhe kidnapuan tre pjesëtarë të policisë sonë, pas kësaj, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë. Në anën tjetër është e vazhdueshme politika e terrorit dhe dhunës që ajo ushtron në vazhdimësi me figurat që nuk pajtohen me politikat agresore të Aleksandër Vuçiqit. Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”, ka shkruar Sveçla.

E në këtë ngjarje, pretendon se ishte dëshmitar edhe ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim në Republikën e Kosovës, Radoica Radomiroviq, i cili për “Betimi për Drejtësi“, ka rrëfyer se si sipas tij ndodhi ngjarja, duke thënë se qytetarin Milan Vukashinoviq e rrëmbeu dhe plagosi grupi i Milan Radoiçiq.

Ai pretendon se e gjithë ngjarja ndodhi kur Vukashinoviq ka shkuar për të blerë mjaltë nga një person i punësuar në Ushtrinë e Serbisë. Tha se Vukashinoviq është pjesë e institucioneve të Kosovës, ndërkaq sipas tij, vitin e kaluar Radoiçiq tentoi ta vriste Milanin duke i vendosur eksploziv nën makinë.

Sipas tij, më 1 nëntor rreth orës 12:00, Vukashinoviq ndodhej me makinën e tij në fshatin Jelakce dhe në vendin e quajtur Lokvica, që ndodhet në Kosovë, por afër kufirit me Serbinë, ai kishte shkuar të blinte mjaltë nga një person me emrin Daki Antiq nga Kurshumlia, i cili është i punësuar në Ushtrinë e Serbisë.

“Atë ditë duhej të merrte mjaltë, si zakonisht. Daki Antiq futej rreth 200 metra në territorin e Kosovës dhe pastaj kthehej në Serbi. Milan zakonisht blinte deri në 5 kg mjaltë. Gjatë mbërritjes në vendin e takimit, nga pylli dolën persona të armatosur, të veshur me uniforma të zeza dhe jeshile, me maska në fytyrë”, ka thënë ai për “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, Milan Vukashinoviq nuk është ndalur por ka vazhduar të voziste.

“Milan Radoiçiq, i njohur si frikacak, gjithmonë qëllon nga pas dhe kështu bëri edhe këtë herë”, ka thënë ai.

Tutje, sipas Radomiroviq, pas ngjarjes tragjike, grupi terrorist e transportoi Vukashinoviqin në Spitalin e Prokupljes. Tha se me duart e lidhura dhe nga ambulanca, ai ka arrtiur të telefononte nënën e tij dhe t’i thoshte se ishte sulmuar në Kosovë, se ishte plagosur dhe se po e çonin në Spitalin e Nishit.

“Më 02.11, përmes miqve nga Nishi, mësova se Milani ishte në gjendje të rëndë, se i ishte hequr një veshkë, mbështjellësi i zemrës (perikardi) dhe se kishte plumb në shtyllën kurrizore. Gjithashtu, nga miqtë kam mësuar se Radoiçiq ndodhej në Kosovë me pjesëtarë të Agjencisë së Sigurisë Ushtarake të Serbisë, përfshirë një oficer me emrin Sedlar”, ka shtuar ai.

Siç pretendon ai, ata kishin ardhur me tre xhipa pa targa dhe në Prokuplje askush nga policia nuk guxonte të pyeste çfarë po ndodhte.

“Milan Vukashinoviq u dërgua në Spitalin e Nishit, ku e priti drejtori i Qendrës Klinike të Nishit, Zoran Perishiq. Zoran Perishiq ndaloi personelin mjekësor të jepte çdo informacion për gjendjen shëndetësore të Milan Vukashinoviqit, të plagosur dhe të rrëmbyer”, u shpeh ai.

Ai shton se deklaron me përgjegjësi se ka qenë në atë vend- Jelakce, me personin që pretendohet se është rrëmbyer, por asnjëherë nuk kanë hyrë në Serbi. Dhe sipas tij, Milan Vukashinoviq është i punësuar në pikën kufitare Jarinjë, si punonjës i një shoqërie sigurimesh kosovare.

“Milan (Vukashinoviq) nuk i ka lënë institucionet e Kosovës që nga viti 2022 dhe që nga ajo kohë nuk shkon në Serbi. Në vitin 2024, Radoiçiq tentoi ta vriste Milanin duke i vendosur eksploziv nën makinë”, ka shtuar ai.