Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se slogani “Krejt për shtetin, shteti për krejt” nuk përputhet me realitetin e qytetarëve në Kosovë.
Përmes një postimi publik, Bajrami ka deklaruar se gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së LVV-së, qytetarët kanë parë çdo ditë se “shteti nuk është për krejt”.
Ajo ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për përdorim të parasë publike për “blerje votash”, duke shtuar se qytetarët po përballen me çmime të larta, taksa, rritje të kostos së energjisë dhe karburanteve, ndërsa pushtetarët, sipas saj, përfitojnë nga buxheti i shtetit.
“Albini po i përdor paratë tona për të blerë vota”, ka shkruar Bajrami, duke përmendur edhe TVSH-në prej 18 për qind për importet, si dhe rritjen e çmimeve të energjisë dhe karburanteve.
Ajo ka kritikuar edhe proceset e tenderimit publik, duke pretenduar se qeveria ka dhënë 1544 kontrata njëburimore, ndërsa ka shtuar se institucionet janë mbushur me militantë partiakë dhe persona me aktakuza.
Sipas Bajramit, qytetarët kishin pritur përmirësime në arsim, shëndetësi dhe infrastrukturë, por situata, siç tha ajo, është përkeqësuar.
“Aty ku duhet të ketë shtet, sot ka parti. Aty ku duhej të ketë drejtësi, sot ka nënshtrim”, ka deklaruar ajo.
Në fund të reagimit të saj, kandidatja e LDK-së u ka bërë thirrje qytetarëve që më 7 qershor “ta kthejnë shtetin në duart e qytetarit”, duke theksuar se “Kosova nuk është pronë e një partie, por e qytetarëve të saj”.









