Humbje në derbi dhe lamtumirë titulli, Mourinho shpërthen në Turqi: U vendos gjithçka para fillimit të sezonit

Jose Mourinho ka pohuar se suksesi i afërt i Galatasarayt në Superligën Turke ishte i pashmangshëm pas humbjes 1-0 të Fenerbahçes ndaj Besiktasit të dielën.

Rezultati e lë ekipin e Mourinhos tetë pikë prapa liderëve me vetëm katër ndeshje të mbetura, duke e bërë pothuajse të pamundur që Fenerbahçe ta arrijë titullin kampion.

Duke folur pas humbjes ndaj Besiktasit të Ole Gunnar Solskjaer, Mourinho shprehu zhgënjimin e tij, duke u përqendruar në ato që ai i percepton si vendime të dobëta arbitrare që kanë dëmtuar sfidën e ekipit të tij për titull.

“Kur disa nga lojtarët tuaj nuk luajnë mjaftueshëm mirë, kjo ndikon edhe në performancën tuaj kolektive”, tha Mourinho.

“Rezultati i ligës u përcaktua para se të fillonte liga. Ndeshjet që humbëm në shtëpi ishin vendimtare. Vendimet e VAR-it, vendimet e gjyqtarëve. Jam shumë i lodhur duke folur për këto. Nuk kam pushtet, asgjë nuk ndryshon, por kjo është situata, kjo është e vërteta”. tha Special One.

Mourinho e ka kritikuar shpesh gjykimin këtë sezon, madje duke e çuar Federatën Turke të Futbollit të caktojë gjyqtarë sllovenë për ndeshjen Fenerbahce-Galatasaray në shkurt. Kjo ndeshje shkaktoi një debat të ri, me Galatasarayn që akuzoi trajnerin portugez për komente raciste ndaj stafit të tyre.

Ndërsa shpresat e Fenerbahçes për titullin veniten, Mourinho ka lënë të kuptohet se mund të mos qëndrojë në Turqi përtej këtij sezoni, pavarësisht se i ka mbetur edhe një vit në kontratë. Kur u pyet për të ardhmen e tij, Mourinho nuk dha asnjë përgjigje.

“Nuk po flas për sezonin e ardhshëm. Do të flas brenda klubit, jo me median. Nëse ka diçka, nga respekti për presidentin dhe bordin, nuk do ta bëj publike”. tha Mourinho.