Ani pse betejën do të duhej ta kishte me partitë politike, dy prej të cilave i ka humbur fort keq në dy palë zgjedhje, fillimisht në shkurtin e vitit 2025 kur siguroi vetëm 18.27 për qind të votave dhe në dhjetor të po të njëjtit vit kur ra pingul në 13.2 për qind, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka hapur front me gazetarët.
Këtë e ka bërë vetëm pak orë pasi u raportua se bashkëshortja e tij, ishte aksionare në një kompani.
Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, emri i Albina Kastrati-Abdixhiku figuron në mesin e katër pronarëve ose aksionarëve të kompanisë “Ampera”.
Sipas ARBK-së, aktivitet kryesor i këtij operatori ekonomik është instalimi elektrik. Mirëpo si aktivitete të tjera ka regjistruar edhe prodhimin, transmetimin dhe tregtinë e energjisë elektrike.
Bashkëshortja e Abdixhikut ka 25 për qind të kapitalit, ashtu siç kanë edhe tre familjarë të saj.
Abdixhiku të hënën tek po prononcohej për mediat pas takimit me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurti për të përcaktuar fatin e postit të presidentit, ka pranuar se bashkëshortja e tij është pronare në kompaninë që operon në fushën e energjisë elektrike, por e ka mohuar se merret me tregtinë e rrymës.
“Ja, jo. Nuk ka kompani të tregtimit të rrymës, është e pavërtetë…Nuk ka tregtim të energjisë elektrike. Gabim e keni. Është kompani elektrike, po jo për tregti. Është licencë e veçantë, kuptoni. S’është temë kjo”, ka deklaruar Abdixhiku.
Por siç ndodh rëndom, mediat janë cak i lehtë për sulme. Ashtu bëri edhe Abdixhiku në një postim në rrjetet sociale, pas deklaratës së tij për mediat.
Në reagimin e tij në Facebook, Abdixhiku i cilëson këto pretendime si shpifje të orkestruara nga “grupe parapolitike”. Ai më tej e cilëson gabim të tij të pafalshëm “afrimin me gazetarët”.
“E kuptoj se në botën e errët ku jetojnë këta njerëz përplot mllef e urrejtje, përpjekja për të përbaltur këdo është mënyrë ekzistence. Por një gjë e kam kuptuar qartë gjatë kësaj kohe: sa më larg prej tyre, sa më përballë me ta, aq më i drejtë është qëndrimi yt. Një nga gabimet më të mëdha dhe më të pafalshme të karrierës sime ka qenë pikërisht afrimi me ta – mendërisht, se assesi ndryshe”, ka shkruar veç të tjerash Abdixhiku.
LDK-ja, partia më e vjetër në Kosovë, është duke përjetuar një ndër periudhat më të vështira në historinë e vet, pasi zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit sollën rezultatin e dytë më të keq për të.
Paraardhësi i tij Isa Mustafa, pas humbjes zgjedhore, ofroi dorëheqje, duke i hapur rrugë ardhjes së Abdixhikut.
Ky i fundit pas dy betejave të humbura, i ofroi Kuvendit të partisë dorëheqjen nga posti i kryetarit.
Lidhja Demokratike e Kosovës e mbajti Kuvendin e partisë më 31 janar, ku kryetari Abdixhiku, kërkoi votëbesimin e delegatëve pas debaklit zgjedhor.
Abdixhiku i mbijetoi vetëm votëbesimit partiak.










