Mbi 75 mijë euro janë mbledhur brenda dy ditësh në platformën GoFundMe për familjen Kola, e cila humbi jetën në mënyrë tragjike javën e kaluar në Porcari, në provincën e Luccas, Itali, si pasojë e helmimit nga monoksidi i karbonit i çliruar nga një kaldajë gazi e instaluar së fundmi në banesën ku jetonin.
GoFundMe u hap nga Durim Kola, vëllai i Arti Kolës, 48 vjeç, një prej viktimave. Fondet e mbledhura do të përdoren për mbulimin e shpenzimeve të funeralit dhe për transportimin e trupave drejt Shqipërisë, ku do të zhvillohen ceremonitë mortore.
Shuma e mbetur do të shërbejë për mbështetjen e familjarëve të viktimave.
Solidariteti i qytetarëve është reflektuar përmes dhjetëra donacioneve, të cilat variojnë nga 50 deri në 500 euro, duke dëshmuar mbështetje të gjerë për familjen që humbi jetën si pasojë e monoksidit të karbonit nga një defekt i kaldajës në banesën e tyre.
Ndërkohë, Prokuroria e Luccas ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Sipas autoriteteve, kaldaja dyshohet se ishte e re dhe ishte instaluar nga vetë pronari i banesës.
Autoritetet po presin rezultatet e analizave toksikologjike për katër viktimat, të cilat pritet të jenë vendimtare për vijimin e hetimeve. Pas përfundimit të procedurave ligjore, trupat do të kthehen në Shqipëri për t’u përcjellë në banesën e fundit./TCH









