Jo çështje (pa)fajësie: por çështje detyre. Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po e përdor si mburojë kundër vetë sistemit që e mbanë atë.
Akt i pambrojtshëm arrogance dhe sulm ndaj sistemit që mirëmban drejtësinë dhe sundimin e ligjit është parë edhe refuzimi i sotëm i Kryeministrit në mandatin teknik, Albin Kurti, për t’u paraqitur para Prokurorisë Speciale tash edhe me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Kurti e pa të udhës t’i skejohet drejtësisë sërish duke shkuar të vendosë gurëthemel të një çerdheje në Gjilan: i cili 10 minuta pasi u hoqën kamerat mbeti thjesht si një copëz amorfe betoni midis askundi.
Frikë nga drejtësia me përçmim të kalkuluar – del të jetë çështja.
“Gjë e shëmtuar” e “huliganizëm institucional” ishte vështrim i Enver Hasanit, ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese referuar refuzimit kategorik të sërishëm të Kurtit.
Por, për Hasanin se a do të shkojë Kurti në prokurori nuk është çështje për t’u shtruar: sipas tij, kjo do të vjen po-se-po, nëse rasti shkon në kufijt që përkthehen te sjellja me forcë.
“Dënimi fillestar është 250 euro dhe nëse ai vazhdon me refuzimin, gjykata urdhëron arrestimin dhe sjelljen me dhunë të zotit Kurti.
Ky lloj huliganizmi institucional është i papranueshëm në këtë pjesë të botës ku jetojmë”, tha Enver Hasani në “Euronews Albania”.
“Ky është një veprim i papranueshëm dhe do të ketë pasojë për Kosovën dhe për zotin Kurti, sepse objektivisht ai nuk mund ta sfidojë pafund mosshkuarjen për të dëshmuar”
Avokati Arianit Koci, në këtë kontekst, lexon dobësi nga ana e Prokurorisë Speciale.
“Si qytetar, nëse Prokuroria e ka vënë veten në një situatë ku një person, një dëshmitar, mund të tronditë krejt sistemin, atëherë kjo është në rregull për Prokurorinë”.
“Sepse, nëse Prokuroria është aq e dobët sa nuk ka mundur të marrë një dëshmitar për tre muaj, atëherë ky sistem duhet të tronditet
Ju garantoj një gjë: nëse do të isha unë, ose ndonjë nga ju, i ftuar për hetim, deri tani do kishim dhënë dëshminë e lidhur me policinë. Këtu është e dobët Prokuroria”, deklaroi Koci në Klan Kosova.
Lajm të keq për sundimin të ligjit, po ashtu e pa Juristi Ehat Miftaraj nga Instituti Kosovar për Drejtësi.
“Besoj se ky është një lajm shumë i keq për sundimin e ligjit në Kosovë, për pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial kur një kryeministër ftohet si dëshmitar për një proces penal që është duke u hetuar nga ana e Prokurorisë Speciale (…)
(…) dhe i njëjti refuzon t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Prokurorisë por edhe urdhrit të Gjykatës, kjo dëshmon se sa ka respekt i njëjti për Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe për sundimit të ligjit në Kosovë”, tha ai për RTV21.
Çka tha Kurti sot?
Nga Gjilani Kurti e vazhdoi të njëjtën gjuhë, qasje dhe qëndrim ndaj autoriteteve gjyqësore: që nuk shkon dhe se natyra e hetimeve të tyre është “politike”.
“Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim, dhe të jepet dëshmia nga ana ime. Nëse Prokuroria e ka pasur shumë të rëndësishme, ajo do të vinte tek ne. Një prokuror që e ka synim dëshminë e dëshmitarit, nuk humb kohë. Pse i hup Prokuroria tre muaj?
Është më shumë e interesuar të mbush ballinat e ndonjë portalit të oligarkut, se të sjell drejtësi. Kurrë Prokuroria nuk ka qenë më e lirë për të vepruar, lirinë po e keqpërdorë për ta luftuar qeverinë, e jo krimin e korrupsionin. Nuk ka qeveri që e ka luftuar korrupsionin e krimin si qeveria jonë në këto katër vite”, tha Kurti, raporton Nacionale.