Hoxhajt: Kosova nuk ka parë izolim më të rëndë në 15 vjet

Në një intervistë të fundit, Enver Hoxhaj ka adresuar kritika të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti dhe qeverisjes së tij gjatë pesë viteve të fundit, duke theksuar se vendi ka hyrë në fazën më të rëndë të izolimit ndërkombëtar.

Hoxhaj deklaroi se zgjedhjet e ardhshme nuk duhet të maten me premtimet e parealizuara të Kurtit.

“Nuk janë këto zgjedhje që duhet të maten me atë se çfarë ka premtu Kurti se do të bëjë, e çfarë nuk bën, meqë Kurti gjatë këtyre 5 viteve të fundit, ka dështu brenda, ka dështu jashtë, e ka vendos vendin në një izolim ndërkombëtar.”

Ai theksoi se situata ka arritur në një pikë absurde, ku edhe Kongresi Amerikan po e sheh qeverinë e Kosovës si pengesë në politikën amerikane në rajon.

“Kur e ka mendu dikush që në 2025-ën, që ky vend mund të sheh pamje nga Kongresi Amerikan, ku Komisioni për Punë të Jashtme… e sheh kryeministrin dhe qeverinë si obstrukcion, si bojkot të politikës amerikane në rajon.”

Sipas Hoxhajt, deklaratat e tilla nga Komiteti amerikan për Politikë të Jashtme janë të rralla dhe rezervohen vetëm për regjime armiqësore ndaj SHBA-së.

“Komiteti për Politikë të Jashtme, në thelb, bën deklarata të tilla vetëm kur ka të bëjë me rusët në Evropë, me serbët në Ballkan, me kinezët në Azi, apo me Venezuelën në Amerikë Latine… vetëm për kundërshtarët e një SHBA-je.”

Hoxhaj po ashtu komentoi debatin për Listën Serbe, duke akuzuar Vetëvendosjen për manipulim politik.

“Unë çka dua t’ju them qytetarëve është që mos t’i besojnë kësaj loje, këtij manipulimi të Vetëvendosjes për Listën Serbe.”

Ai shtoi se veprimet e qeverisë nuk përputhen me retorikën që shpesh përdor ndaj Listës Serbe.

“Nëse Vetëvendosja vërtetë e sheh Listën Serbe si një parti politike me mision të një organizate terroriste, pse s’po merr vendim në qeveri që ta ndalojë vet? Pse po e çon në KQZ? Në KQZ e dërgon me të vetmin pretekst, për të krijuar idenë se ai gjoja po mbronë interesin e Kosovës.”

Sipas Hoxhajt, këto veprime tregojnë mungesë serioziteti dhe dëshmi të qarta të keqmenaxhimit politik të qeverisë aktuale.