Hoxhaj: Zgjedhjet nuk përcaktuan një fitues të qartë, si PDK kemi një rezultat solid

I ftuari i radhës në Blic Interview me Astrit Gahsin ishte ish-ministri njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj foli për procesin zgjedhor duke thënë se zgjedhjet e 9 shkurtit nuk prodhuan një fitues të qartë.

“Zgjedhjet mendoj se janë zgjedhje të cilat nuk kanë përcaktuar një fitues të qartë sikurse ka pretenduar zoti Kurti para zgjedhjeve apo si kemi pretendu ne si Parti Demokratike e Kosovës apo edhe opozita. Në tërësi mendoj se votuesi ka prit që të ketë një ndryshim politik por ndryshimi politik nuk është përmbyll në pritjen tonë që e kemi pas ne si Parti Demokratike e Kosovës.  Ne si PDK kemi pas një rezultat dhe kemi një rezultat solid dhe jemi në rrafshin e statistikës me një votë e cila është rreth 200 mijë me një listë që mund të ketë25-26 deputetë. Eshtë një rezultat solid me tëcilin krenohemi. Ne kemi patur një fushatë zgjedhore e cila ka qenë pozitive, një kandidat për Kryeministër që ka qenë kredibil dhe i besueshëm, një listë e cila ka qenë jashtëzakonisht përfaqësuese për çdo shtresë të shoqërisë dhe mendoj që në raport me të gjitha subjektet tjera politike, nëse Vetëvendosja ka pësu rënie, nëse AAK-NISMA kanë pësu rënie, nëse LDK-ja nuk e ka arrit rezultatin të cilin është prit që mund ta arrij, PDK-ja ka dal në këto zgjedhje me një rezultat shumë solid dhe mendoj se është diçka që ne na motivon që të vazhdojmë për punë edhe më tutje. Çfarë unë kam prit është që opozita mund t’i ketë 61 deputetë shqiptar në total dhe kjo mund t’a ndryshonte dinamikën dhe mund t’a menjanonte siç e thashë në fillim që nuk ka një fitues shumë të qartë” tha Hoxhaj në Blic Interview.

Ai potencoi se pritjet e tyre ishin që LVV-ja të arrinte diku 37 deputetë.

Hoxhaj tha se kjo pritje u krijua nga fushata por edhe për faktin se Qeveria nuk ka garu në këto zgjedhje me asnjë rezultat konkret.

“Kemi patur një pritje që LVV-ja mund të ketë diku 35-36 ose 37 deputetë. Kjo pritje u krijua nga fushata por edhe nga realiteti, mendoj se kemi patur një Qeveri e cila ka garu në këto zgjedhje me asnjë rezultat konkret dhe për më shumë nuk kanë patur edhe program. Nuk kemi dëgju se cili është programi i kësaj partie politike për një mandat të ardhshëm. Por përtej kësaj ky është vullneti i qytetarëve të Kosovës, ne duhet ta respektojmë, por ne si PDK jemi të zotuar që krahas vullnetit të qytetarëve t’a përfaqësojmë edhe zërin e votuesve tanë” tha Hoxhaj.