Kandidati për deputet nga radhët Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, shprehu bindjen se pas zgjedhjeve, qeverisja e vendit do të kalojë nën drejtimin e PDK-së, në bashkëpunim me partitë që aktualisht janë në opozitë.
Sipas tij, prezantimi i platformës nga kandidati për kryeministër Bedri Hamza dhe komunikimi i kandidatëve me qytetarët në çdo rajon të Kosovës do të jenë faktorë vendimtarë për ndryshimin politik që ai pret të ndodhë më 28 dhjetor.
“Është vetëm fillimi i fushatës, nuk dua që të them po ndodh papritmas një përmbysje e madhe politike, por ka parakushte, ka disponim, ka atmosferë për ta pranuar mesazhin tonë, për ta dëgjuar programin e PDK-së”, tha ai.
“Unë besoj që kur të fillojë fushata zgjedhore, kur z.Hamza si kandidat për kryeministër t’i prezantojë elementet e platformës së tij, kur kandidatët për deputetë do të komunikojnë në çdo cep të Kosovës me elektoratin, jam i bindur që ndryshimi politik më 28 ndodhë dhe natyrisht që Qeveria e ardhme do të jetë Qeveri që udhëhiqet prej PDK-së, në bashkëpunim me partitë në opozitë”, tha ai në “DPT me Fidanin”.











