Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka reaguar përmes një video-adresimi në Facebook, duke kritikuar politikën e jashtme të Kosovës në fillim të vitit 2025.
Ai e ka krahasuar qasjen aktuale me një episod nga viti 1975, kur disa komunistë jugosllavë në një fshat të Kosovës deklaruan se “jetën e japin, por Trieshtën nuk e japin”, pavarësisht se fati i këtij qyteti tashmë ishte vendosur.
Hoxhaj ka veçuar dy ngjarje që sipas tij tregojnë qasjen naive të politikës së jashtme të vendit.
“Kur në vitin 1975 ishte vendosur që Trieshta t’i takonte Italisë dhe jo Jugosllavisë, në një fshat të Kosovës u mblodhën disa komunistë jugosllavë të cilët në një mbledhi urgjente e nxorën një qëndrim dhe dërguan në telegram porosinë që “jetën e japin e Trieshtën nuk e japin”. Kështu më duket politika e jashtme e Kosovës në fillim të vitit 2025 dhe janë dy ngjarje të cilat e tregojnë një gjë të tillë. Javën e kaluar një politikan nga Kosova qëndroi në Taipei, nga Azia sulmoi Evropën, krahasoi Tajvanin me Kosovën dhe tha që industria ushtarake në Kosovë është më e zhvilluar se ajo e Francës.”, ka thënë Hoxhaj.
“Dje ishte përvjetori i tretë i luftës në Ukrainë, natyrisht që pavarësia, integriteti territorial, sovraniteti i Ukrainës janë të rëndësishme për Evropën dhe për Kosovën, por është e gabuar që fati i Kosovës të barazohet me të Ukrainës kur kjo e fundit është në luftë. Është e gabuar kur ditën e njëjtë amerikanët dhe evropianët janë të ndarë me dy Rezoluta të ndryshme në Këshill të Sigurimit. Nëse Perëndimi është i përçarë për tema ndërkombëtare, nuk ka nevojë që politika e jashtme e Kosovës ta përçojë atë në raport me shtetin tonë. Prandaj, deklaratat e tilla mua ma kujtojnë naivitetin dhe barcoletën e Trieshtës”, ka deklaruar ai.
Video KËTU