Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka publikuar sot videon e dytë të realizuar me inteligjencë artificiale, kësaj radhe të fokusuar në njohjet ndërkombëtare të Kosovës dhe rolin e tij në diplomacinë shtetërore.
Në video, Hoxhaj flet drejtpërdrejt për përballjen diplomatike të Kosovës me Serbinë, Rusinë, Kinën dhe shtete të tjera kundërshtuese, si dhe për angazhimin e tij personal në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit.
Ai thekson se diplomacia nuk ishte çështje imazhi, por pune konkrete për njohje shtetërore.
“Kur Serbia, Rusia, Kina dhe armiqtë e tjerë dëshironin që ta fshinin Kosovën nga harta e botës, detyra ime ishte që ta vendosi në hartë. Kam udhëtuar drejt Evropës, Lindjes së Mesme, Afrikës, Azisë dhe Amerikës Latine. Jo për fotografi. Por për njohje. Si Ministër i Punëve të Jashtme, kam arritur të siguroj mbi 70 njohje për Kosovën. Një nga një. Me punë dhe me besim. Qeveria Kurti ka dështuar t’i sjellë njohje Kosovës. Një qeveri e udhëhequr nga PDK, mund të sigurojë vitin e ardhshëm së paku 10 njohje të reja, sikurse Irakun, Libanin, Botswana, Zimbabwe, Rwanda, Indonezinë dhe një mori shtetesh të tjera.”, thotë Hoxhaj.
Videoja është pjesë e një serie përmbajtjesh inovative në fushatë, ku për herë të parë në Kosovë përdoret inteligjenca artificiale për të shpjeguar tema kyçe shtetërore, në këtë rast politikën e jashtme dhe njohjet ndërkombëtare.











