Kryetari i PDK-së, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj së bashku me nënkryetarin e PDK-së dhe kandidatin për deputet, Bedri Hamza kanë prezantuar sot programin e Partisë Demokratike të Kosovës për Rimëkëmbje ekonomike, shkruan Fokusi.info.
Hoxhaj ka thënë se ekonomia është shtylla e parë e programit të PDK-së për qeverisje dhe programi i Rimëkëmbjes, i cili vjen në periudhën kur tërë bota është goditur nga pandemia nuk është listë e dëshirave, por program i zotimeve që vijnë si rezultat i punës së përgjegjshme, të matshme dhe koordinuar të ekspertëve të fushës, përfaqësuesve të qytetarëve nga shoqatat e bizneseve, tregtisë dhe të punëtorëve.
“Plani ynë i ka dy pjesë. E para, të lehtësojë dhimbjen e qytetarëve të rënduar nga kriza, dhimbje që është rënduar me menaxhimin e keq të pasojave të krizës nga dy qeveritë e vitit të kaluar.
Së dyti, ne ofrojmë një pako stimuluese për të ringjallur Ekonominë tonë, e cila do të ketë efekt të menjëhershëm por është edhe projekt afatgjatë. Ne në Kosovë duhet ta kuptojmë, lidershipi i përgjegjshëm duhet të ketë plan drejt një horizonti që zgjat një dekadë. Kjo është çka programi ynë synon. Kështu arrihet Rimëkëmbja.”, ka thënë Hoxhaj.
Ndërsa, Hamza duke prezantuar pikat konkrete të planprogramit për Rimëkëmbje ekonomike ka theksuar se nën qeverisjen e PDK-së vendi do të ketë rritje ekonomike 5 % – 7 %, ku përmes masave konkrete do të mbështeten sektori privat, përfituesit e ndihmave sociale dhe pensionistët, si dhe të punësuarit në sektorin privat dhe publik. Ndër tjerash me këtë plan parashihet fond mbi 1 miliardë euro për ekonominë në krizë, ngritje të pagës minimale deri në 300 euro dhe rritje pensionesh deri në 40%
Për më shumë, lexojini fjalimet e plota të Hoxhajt dhe Hamzës:
Enver Hoxhaj: Sot, duke qenë të vendosur në përkushtimin tonë, ne po e prezantojmë para qytetarëve shtyllën e parë të Programit tonë për qeverisje.
Ky program do ta Rimëkëmbë ekonominë tonë.
Ky program do ta Rimëkëmbë shoqërinë tonë.
Bedri Hamza, i cili me pajtimin e qytetarëve do të jetë Ministër i Financave në Qeverinë e PDK-së, do t’i shpjegojë masat të cilat ndaj të cilave ne zotohemi.
Kjo nuk është listë e dëshirave.
Ky është një Program i zotimeve.
Këto nuk janë thjeshtë premtime parazgjedhore. Por është rezultat i punës së përgjegjshme, të matshme dhe koordinuar.
Shumë ekspertë janë angazhuar në krijimin e këtij plani.
Përfaqësuesit e qytetarëve nga shoqatat e bizneseve, tregtisë dhe të punëtorëve kanë marrë pjesë gjithashtu në përgatitjen e tij.
Ne i falenderojmë të gjithë.
Dhe tregojmë përkushtimin tonë për të zbatuar atë që po e prezantojmë sot para jush.
Programi jonë për Rimëkëmbje vjen në një kohë kur e tërë bota është goditur nga Pandemia Covid. Sa do të jenë pasojat ekonomike dhe shoqërore nuk është lehtë të llogariten?
Sidoqoftë, janë shumë të mëdha.
Prandaj e tërë bota po flet për Rimëkëmbje. Krejt ajo çka bota po pret është Rimëkëmbje.
E edhe më shumë e kërkojmë ne, qytetarët e Kosovës.
Neve na duhet një plan koherent i cili i lehtëson dëmet dhe pengesat në jetën e tyre.
Një program që do të ringjallë Ekonominë tonë në rënie.
Një program që do ta përgatisë shoqrinë tonë për periudhën pas-Covid.
Një program që do të na udhëheq në prosperitet.
Kjo është ajo çka ne nënkuptojmë më Rimëkembje në Kosovë.
Programi jonë do të hap rrugën për dekadat e ardhshme. Plani jonë është plan i dekadës. Por, masat të cilat Bedriu do i prezantojë sot duhet të hyjnë në fuqi menjëherë.
Plani ynë i ka dy pjesë:
E para, të lehtësojë dhimbjen e qytetarëve të rënduar nga kriza. Dhimbje që është rënduar me menaxhimin e keq të pasojave të krizës nga dy qeveritë e vitit të kaluar.
Së dyti, ne ofrojmë një pako stimuluese për të ringjallur ekonominë tonë. Kjo gjithashtu do të ketë efekt të menjëhershëm, por është edhe projekt afatgjatë.
Ne në Kosovë duhet ta kuptojmë, lidershipi i përgjegjshëm duhet të ketë plan drejt një horizonti që zgjat një dekadë.
Kjo është çka programi ynë synon.
Kështu arrihet Rimëkëmbja.
Me programin tonë ne po synojmë balancin e duhur ndërmjet kujdesit fiskal dhe zgjerimit për rritje.
Me Programin tonë do ta rrisim efiçiencën duke promovuar barazinë.
Rimëkëmbja është për të gjithë.
Askush nuk do të lihet prapa.
Me Programin tonë ne përgatisim vetën për sfidat e së ardhmes.
Qytetarët e Kosovës duhet të jenë kampionët e periudhës pas Covid. Edhe më të rinjtë innovator e digjitalë. Më të informuarit. Më të përgatiturit. Dhe Kosova do të jetë kampion. Gjenerata e re e Kosoves do të jetë kampion.
Programi i PDK-së vendos ngritjen e kapitalit njerëzor prioritet numër 1 për Kosovë përgjatë kësaj dekade.
Kështu do arrijmë Rimëkëmbje të qëndrueshme.
Duke ngritur aftësitë kolektive. Duke investuar në gjeneratën tonë të re.
Unë e kam sfiduar kundështarin tonë kryesor politik, Albin Kurti, të veproj njejtë. Të prezantojë dhe debatojë për Programin e tij me ne.
Natyrisht, ai kundërshtoi. Ai po fshihet. Ai po e shmang krahasimin.
Ai nuk e humb asnjë rast për t’i injoruar qytetarët e Kosovës.
Ai nuk ka respekt për demokracinë tonë. As respekt për procesin elektoral.
Vetëm liderët autoritar refuzojnë debatet.
Vetëm liderët autoritar i fshehin qëllimet e tyre.
Vetëm liderët autoritar i marrin rezultatet e zgjedhjeve si të mirëqena para se ato të ndodhin.
Albin Kurti na tha që nuk dëshrion të debatoj me neve sepse i ka fituar zgjedhjet! Por, më lejoni t’i them atij një gjë: në demokraci zgjedhjet vendosen prej qytetarëve, jo prej politikanëve.
Detyra jonë si politikanë është të prezantojmë programin tonë para qytetarëve. Jo të flasim për rezultate të zgjedhjeve.
Detyrë e jona është t’u tregojmë qytetarëve qëllimet tona. Detyrë e jona është përkushtimi ndaj qytetarëve. Me propozime konkrete. Me oferta serioze.
Kjo është çka bën PDK-ja sot. Kjo është ajo që PDK-ja do të bëjë gjatë gjithë periudhës para zgjedhjeve. Dhe pastaj, do të jetë momenti i qytetarëve. Momenti i tyre. Vendimi i të cilëve duhet të respekohet nga të gjithë. Kështu funksionon demokracia.
I bëj thirrje Albin Kurtit që të rishikoj qasjen pa respekt ndaj proceseve demokratike.
I bëj thirrje Albin Kurtit të largojë retorikën e tij populliste.
Mjaft me popullizëm të papërgjegjshëm.
Mjaft më me premtime të zbrazëta.
Zoti Albin Kurti, mos i ik realitetit. Mos i ik dialogut. Mos i ik debatit.
Për hirë të procesit tonë demokratik. Për hirë të popullit.
Populli ka nevojë për Rimëkëmbje, Kosova ka nevojë për Rimëkëmbje.
Dhe Rimëkëmbja do të vijë me veprime konkrete dhe me përkushtim ndaj popullit.
PDK-ja eshte krenare me Programin e saj. Ne e bëjmë publik. Jemi të gatshëm ta mbrojmë. Sepse e dijmë që ky është Programi i Rimëkëmbjes për Kosovën.
Bedri, fjala është për ty.
Bedri Hamza: Programi jonë i Rimëkëmbjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, do të arrijë nje rritje të qëndrueshme ekonomike e cila do të shkoj prej 5 % deri 7 %, duke u dhënë prioritet investimeve për shëndetësi, arsim dhe kërkime shkencore, infrastukturë të re, rend dhe ligj duke përfshirë edhe prioritet tjera, që do të sjellin zhvillim ekonomike jo vetëm për vitet 2021 – 2025, por edhe për dekadat e ardhshme.
Në Programin tonë të Rimëkëmbjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik kemi masa konkrete për ta mbështetur:
1. Sektorin Privat
2. Përkujdesin ndaj shtresës sociale dhe pensionisteve dhe
3. Të punësuarit në sektorin privat dhe publik.
Sektorin privat do ta mbështesim me këto masa:
1. Mbi 1 Miliardë euro për rimëkëmbje
2. Do të ketë likuiditet shtesë për sipërmarrjen, do të themelohet fondi për të ndihmuar ndërrmarjet tona në shumë mbi 500 milion euro ( pesëqind milion euro), në formë të mbeshtetjes financiare për biznese, të cilat kanë vështirësi për të funksionuar si duhet për vitin e parë por do të ketë përkrahje edhe për vitet tjera të qeverisjes tonë. Këto mjete (para pa kthim) do t’u jepen bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara në Ligjin e buxhetit të shtetit.
3. Qeveria e Republikës së Kosovës do të marrë përsipër pagesat e shumës së interesit të huamarrjes që janë marrë në bankat komerciale të Kosovës nga prodhuesit të cilët eksportojnë mallra jashtë Kosovës, Ndërmarrjet të cilat merren me agrobiznes dhe përpunimin e produkteve agrare.
4. Tatimin e Vlerës së Shtuar (TVSH) nuk do të paguhet nga ana e biznesit në kufi , siç ka ndodhur deri tash, por mbledhja përkatsisht pagesa e TVSH-së do të bëhet në brendi të vendit. Ky do të ketë likuiditet plotësues shtesë shumë më i madh për bizneset sesa që kishte deri tash.
5. Tatimin në të Ardhura të Korporatave do të ulet për disa vite të caktuara nga 10 %, sa ishte deri më tani, në 8%, 7%, 5% dhe 0% varësisht nga investimet dhe numri i të punësuarve.
6. Rritjen e kapitalit të Fondit Kosovar për Garantimin e Kredive do të shkojë deri në 100% për të mbështetur apo për të garantuar projekte të ndryshme investuese në shumë prej 100% për bizneset.
7. Do të futen skemat e garancisë për të forcuar pozicionet e kolateralit në hua, ndërkaq fondet për këto skema do të sigurohen nga shteti, do të rregullohet cështja e trajtimit të Hipotekave dhe e lartësise së hipotekës që vendosen të merren për kredi.
8. Për çdo vit do të krijohet një linjë buxhetore në shumën prej 15 milion euro në buxhetin e shtetit për t’i mbështetur financiarisht nëpërmjet granteve (para pa kthim) të rinjtë dhe të rejat që kanë ide biznesi në formë të vetëpunësimit.
Do të përkujdesemi ndaj shtresës sociale dhe pensionerëve me këto masa:
1. Do të rritet shuma e ndihmës sociale mbi 30 % për të gjithë përfituesit e ndihmës sociale.
2. Do të ketë rritje të të gjitha llojeve të pensionit varsisht prej kategorise se pensionit dhe reforma të thella për trajtimin e drejtë dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve pensionistë, duke përfshirë në skemat e kontributdhënësve ata qytetarë të cilët kanë pasur pengesa për arsye të mungesës së 15 viteve , ku do te jete pension i shkallezuar sipas perqindjes dhe viteve.
3. Nga rritja e pensioneve do të përfitojnë:
i). Pensionistet e moshës ……… 40 %,
ii). Pensionistet kontributdhënëse 30 %,
iii). Pensionit veteran te luftes …..30%, dhe
iv). Të gjithë pensionet tjera ne shumën e 30%.
4. Familjet e dëshmoreve do të realizojnë pensione varësisht nga numri i anëtarëve dëshmorë që kanë.
5. Do të rregullohet çështja e pensioneve ku pensionistët e moshës do të ju lejohet që të jenë përfitues edhe i pensioneve tjera ku i plotësojnë kushtet me ligj.
6. Veteranëve nuk do të ju ndërpritet pensioni i veteranit nëse kanë kontratë pune.
7. Pensionistët që gëzojnë pensione bazike nuk do të jenë të detyruar që të zgjedhin në mes të cilit pension me marr, por do ta marrin pensionin e moshës dhe pensionin tjetër që ja njeh ligji.
8. Do të reduktohet norma TVSH-së për gjëra ushqimore për konsum të përditshem të qytetarëve, e cila do të llogaritet dhe paguhet prej tetë përqind (8%) nga 18 % sa eshte tani për furnizimin e mallërave dhe importin e tyre në Republikën e Kosovës.
9. Do të lirohen nga TVSH-ja barnat të cilat importohen dhe prodhohen në vendin tonë.
Do të marrim këto masa për t’i mbështetur të punësuarit në sektorin privat dhe publik:
a) Paga minimale do të rritet nga 170 euro, sa është tani në 300 euro.
b) Në marrëveshje me partnerët socialë, legjislacioni i punës me theks të veqantë ligji i punes i cili do të rishqyrtohet në mënyrë që të krijojë një kornizë ligjore cilësore për inkurajimin e aktiviteteve sipërmarrëse, të zvogëlojë barrën administrative të punës dhe të sigurojë kushte dinjitoze të punës me mbrojtje maksimale të punësuareve dhe punëdhënseve.
c) Do të rritet numri i Inspektorëve të Punës, i cili numër do të jetë i mjaftushëm për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit të punës dhe mbrotjen e të drejtave të punësuarëve.
d) Me qëllim të rritjes së pagave në sektorin privat, dhe të ardhurave të disponueshme të punësuareve për një standard më të lartë të qytetarëve tanë, do të angazhohemi që për kompanitë të cilat rritin pagat për të punësuarit e tyre në mbi 500 euro në muaj, Tatimi mbi të Ardhurat e Korporatës të jetë nga 10 % sa është aktualisht, në 5 % në qeverinë tonë.
e) Do të rriten pagat ekzistuese në mesatare prej 30 % për të gjithë zyrtarët në sektorin publik, përmes rregullimit të ligjit për paga. Do të rregullohen kualifikimet adekuate të pozitës së punës sipas përvojës dhe kualifikimeve profesionale.