Hoxhaj: Dialogu ka hyrë në fazë të rrezikshme, Kurti s’po e trajton si interes nacional

Ish- ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj duke folur për marrëveshjen e Ligjit për të huajt, ka thënë se dialogu me Serbinë po hyn një fazë të rrezikshme.

Hoxhaj ka thënë se në këtë proces nuk ka transparencë nga Qeveria dhe se po bëhen marrëveshje të dëmshme.

“Nuk ka transparencë se çfarë po ndodhë në dialog. Dialogu ka hyrë në një fazë të rrezikshme, ku po bëhen  kompromise të brendshme, ku z.Kurti për sheh këtë çështje jo si të interesit nacional, se ne duhet ta diskutojmë se cilat janë përfitimet e Kosovës. Po shohim produkte, marrëveshje që janë të dëmshme. Po të kishte Kuvend të Kosovës ne do të duhej të debatonim se çfarë po ndodh tash me këtë Ligjin për të huajt, a ka të bëjë me zbatim të ligjit apo zbatim të Asociacionit”, tha Hoxhaj në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.

Ai ka thënë se Kuvendi i Kosovës ka nevojë që ta sjellë një rezolutë të re, rreth asaj se çka sjellë dialogu Kosovë-Serbi në vitin 2026.Hoxhaj duke komentuar deklaratën e Kurtit i cili tha se nuk e ka bërë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ka thënë se nëse Kurti e sjellë në Kuvend për ta zhbërë draftstatutin që  e ka pranuar, PDK i jep nënshkrimet.

Deputeti i PDK-së ka thënë se Kurti po synon t’i ikë kontrollit demokratik të brendshëm dhe temës së dialogut.

“Dëshiron t’i ikë temës së dialogut, marrëveshjeve Kosovë-Serbi, prandaj edhe kjo se çfarë po bëjë përpjekje të thamë përputhet edhe më këtë situatën e Ligjit për të huajt”, ka thënë Hoxhaj.