As me Evropë, as me Amerikë.
Në këso pozite e sheh Kosovën, Enver Hoxhaj i Partisë Demokratike të Kosovës, nëse me vendin udhëheqin Ramush Haradinaj i AAK-së dhe Albin Kurti i Vetëvendosjes.
Kandidati për kryeministër nga PDK-ja konsideron se udhëheqw politikë më të mençur sesa rivalët e tij politikë.
“Ramush Haradinajt ia merrte mendja që mund të shtyhet me Angela Merkel dhe me Emmanuel Macron dhe i la të rinjtë dhe të rejat e Gjilanit, si dhe krejt qytetarët e Kosovës pa viza. Apo Albin Kurti i cili na prishi me Amerikën”, u shpreh ai në një takim me disa qytetarë gjilanas.
Hoxhaj premtoi rritje të pensioneve 30 deri në 40 përqind, varësisht prej kategorisë.
Ndërsa të moshuarit këto pensione nuk do t’i harxhojnë për barna, tha ish-Ministri i Shëndetësisë Uran Ismaili.
“Nëse e ka recetën prej mjekut edhe letërnjoftimin e Kosovës, ato barna do t’i marrë pa para secili qytetar”, premtoi ai.
Ismaili tha se lista me barna falas do t’iu jepet barnatoreve në tre muajt e parë të qeverisjes së PDK-së.