Analisti politik Yll Hoxha, në emisionin “Debat Plus”, ka komentuar dështimet e njëpasnjëshme në Kuvend për zgjedhjen e Kryetarit të ri.
“Për fat të keq, edhe Albulena Haxhiu është edhe në pyetje edhe në pikëpyetje. Sepse s’di çka duhet më shumë se 20-21 votime mos me kapërcy, që me thënë dikush nëse është në pyetje apo në pikëpyetje,” u shpreh Hoxha.
Ai theksoi se nuk mban mend ndonjë rast tjetër në historinë parlamentare ku një kandidat të ketë dështuar kaq shumë herë për të kaluar shumicën. “Një kandidat më i konfirmuar që nuk e kalon shumicën e Kuvendit nuk ka pasë në histori të Kuvendeve të dynjasë. Me i mbledhë krejt Kuvendet, s’besoj që u kanë dikush që 20 herë nuk ka kalu. Kështu që është edhe në pyetje edhe në pikëpyetje,” shtoi ai me një ton ironik.
Megjithatë, Hoxha u shpreh se nuk e sheh Haxhiun si burimin e problemit. “Nuk besoj që ajo është gjeneratori i problemit, mendoj që ajo është instrumenti i problemit.” Duke folur për justifikimin që Vetëvendosje po ia atribuon mungesës së Nismës, Hoxha ngriti dyshime serioze për vërtetësinë e këtij pretendimi. “Tash unë kam dyshime të thella, jo sepse nuk po i besoj Sadriut informacionet, por po besoj që ka najfar shkarje logjike. Nëse ka qenë NISMA problemi deri sot, do të ishin zgjedhë këto 21 seancat e para. Ka pasë shumë kohë dhe mundësi që të zgjidhej çështja e NISMËS, sepse nuk besoj që ka qenë ndonjë problem aq i madh sa mos të zgjidhet. Problemi është tjetërkund”, tha Hoxha.