Deputeti i Partisë Unike Gorane, Adem Hoxha, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e grupit parlamentar të Listës Serbe, nuk ka vendosuar akoma nëse do ta mbështesë Lëvizjen Vetëvendosje për formimin e qeverisë së re të Kosovës.
Deputeti nga Partia Unike Gorane, Adem Hoxha, ka vendosur “pikëpyetje” për mbështetjen e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për formimin e qeverisë së re, për shkak të “përvojës së mëhershme” me Kurtin.
“Mua nuk me pengon Kurti dhe askush. Por, e kam vendosur pikëpyetjen [për mbështetjen], marrë parasysh përvojën që e kemi pasur me kryeministrin Kurti në katër vjetët e kaluara”, ka theksuar Hoxha për “Radion Evropa e Lirë” të martën.
Ai gjithashtu ka paralajmëruar krijimin e një grupi të përbashkët parlamentar nga pakicat joserbe në Kuvendin e Kosovës. E nëse kjo marrëveshje dështon, ai është i gatshëm t’i bashkohet grupit parlamentar të cilësdo parti – shqiptare apo joshqiptare.
E kur është pyetur rreth raporteve të tij me Listën Serbe – më parë ka qenë pjesë e grupit parlamentar të kësaj partie – ai ka mohuar se ka pasur ndonjë lloj trysnie nga “Serbia apo kushdo qoftë” pas paralajmërimeve nga Këshilli i Sigurisë së Kosovës për përpjekje nga Serbia për të ndikuar në procesin e formimit të institucioneve të reja.
“Nuk më ka thirrur askush nga Serbia, nuk kam marrë asnjë kërcënim, shantazh apo sugjerim”, ka shtuar tutje Hoxha për redaksinë e REL-it në Prishtinë, por ka pranuar se vazhdon të bashkëpunojë me partinë kryesore të serbëve të Kosovës.