Avdullah Hoti, gjatë një bashkëbisedimi me strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Fushë Kosovë, i ka porositur të gjithë qytetarët e vendit që të mos ndikohen nga sondazhet e porositura dhe të paguara, të cilat kanë për qëllim manipulimin e opinionit publik dhe krijimin e perceptimit të rrejshëm për një parti politike që ka rrezikuar ekzistencën e shtetit.
“Nuk fitohet besimi i qytetarëve me sondazhe të porositura dhe të paguara nga një subjekt politik. Përkrahja që po hasim në strukturat, anëtarësinë dhe simpatizantët e LDK-së dëshmon qartë se ne do të fitojmë bindshëm në këto zgjedhje”, ka thënë Hoti.
Hoti, ka thënë se kur u zgjodh kryeministër e gjeti qeverinë me marrëdhënie të ngrira me aleatët tanë. “Me punë dhe përkushtim arritëm që të kthejmë besimin e aleatëve tanë, e menaxhuam me sukses pandeminë, krijuam pakon ekonomike për biznese dhe e përmbyllëm vitin me angazhimin e ushtrisë sonë në radhët e ushtrisë amerikane për të kontribuar për paqen në botë”, tha Hoti.
Kryeministri foli edhe për oponentët politikë të LDK-së, të cilët i quajti “oponentë të shtetit, të demokracisë dhe oponentë të fjalës së lirë”.
Ai ka thënë se gjatë 50 ditë qeverisje, oponentët e demokracisë e luftuan ashpër mendimin ndryshe nga ajo që mendon lideri i tyre suprem. “Ju jeni dëshmitarë me çfarë presionesh përballeshin të gjithë gazetarët, analistët dhe opinionistët që nuk mendonin si lideri suprem i tyre. Aktivizonin mijëra aktivistë për të linçuar publikisht ata që shprehnin lirshëm mendimin e tyre”, shtoi Hoti.
“Ardhja e tyre në pushtet paraqet rrezik për shtetin, për aleancat tona me partnerët historikë dhe strategjikë. Për këtë arsye LDK-ja dhe strukturat e saj janë mobilizuar si asnjëherë më parë për të fituar në këto zgjedhje”, ka thënë Hoti.