Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka mbajtur sot mbledhjen e parë me Grupin e ri Parlamentar, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ku kjo parti siguroi 20 ulëse në Kuvend dhe u rendit si partia e tretë më e votuar në vend.
Megjithatë, në këtë takim ka munguar një nga figurat kryesore të partisë, deputeti Avdullah Hoti.
Kujtojmë se menjëherë pas zgjedhjeve, ai ka shprehur publikisht pakënaqësi me lidershipin aktual të LDK-së, të udhëhequr nga Lumir Abdixhiku.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shpjeguar pse nuk mori pjesë në mbledhje.
“Siç kam njoftuar edhe në organet e partisë, për shkak të angazhimeve akademike nuk kam qenë i pranishëm në mbledhjen e sotme të Grupit Parlamentar. Na priftë e mbara”, ka shkruar ai.
Ndërkohë, në mbledhjen e sotme, kryetari i partisë Lumir Abdixhiku ka dhënë mesazhe uniteti, duke deklaruar: “Një zë, një shtëpi, një qëllim”.