Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka reaguar pas rezultatit të fundit zgjedhor, duke e cilësuar atë si një rezultat që “nuk e pasqyron potencialin që kjo parti ka”.
Në një postim në Facebook, Hoti ka falënderuar kryetarin Lumir Abdixhiku dhe degët për angazhimin, por ka dhënë mesazhe të qarta për nevojën e një reflektimi të thellë brenda partisë më të vjetër në vend.
“Ju falënderoj thellësisht për mbështetjen dhe përkushtimin ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rezultati që arritëm nuk e pasqyron potencialin që kjo parti ka. Ky rezultat nuk e zbeh aspak vlerën e angazhimit, sakrificës dhe punës së jashtëzakonshme që është bërë nga çdo anëtar i LDK-së në gjithë Kosovën.
Për këtë, shpreh mirënjohje, respekt dhe falënderim për punën e përkushtimin gjatë gjithë kësaj kohe të të gjitha strukturave drejtuese të LDK-së: Kryetarit Lumir Abdixhikut, kolegëve të kryesisë, degëve e nëndegëve anekënd Kosovës. Mirënjohja ime shkon para se gjithash për anëtarësinë besnike që e mban LDK-në gjallë edhe në kohë sfiduese.”
Përderisa ka pranuar rezultatin e përgjithshëm të partisë, Hoti ka bërë të ditur se mbështetja e tij personale ka shënuar rritje. Ai theksoi se vota që ka marrë për ta përfaqësuar LDK-në në Kuvend është “më e madhe se në zgjedhjet e shkurtit 2025”.
“Ju shpreh mirënjohjen time të thellë të gjithë juve që me votën tuaj më dhatë besimin për t’ju përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ky besim, më i madh se në zgjedhjet e shkurtit 2025, nuk është vetëm mbështetje personale – është obligim për tu angazhuar krahas gjithë kolegëve të LDK-së në fuqizimin dhe ringritjen e shtëpisë tonë politike.”
Në një pasazh që mund të lexohet si kërkesë për reforma, Hoti ka bërë thirrje për unitet, por edhe lejimin e ballafaqimit të ideve.
“LDK ka lindur dhe është rritur si lëvizje përbashkuese rreth qëllimeve më fisnike kombëtare – lirisë, pavarësisë dhe demokracisë të Republikës së Kosovës. Sërish do të bashkohemi për të ruajtur e fuqizuar demokracinë e shtetësinë e Kosovës, e për ta integruar Kosovën në strukturat euro-atlantike.
LDK ka nevojë për unitet të brendshëm, ndërkohë që siguron ballafaqim të hapur të ideve për të ardhmen e saj. LDK-ja ka nevojë për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës në këtë organizatë politike të jashtëzakonshme, e cila përbën vlerë dhe domosdoshmëri për demokracinë e vendit tonë.
Me përulësi ndaj besimit që më keni dhënë dhe me vendosmëri për të ardhmen, unë do të vazhdoj, krahas kolegëve të mi të shumtë, të jem në shërbim të LDK-së për fuqizim të demokracisë, shtetësisë dhe zhvillimit e integrimit euro-atlantik të Republikës të Kosovës. Jam i bindur se kur LDK-ja është e bashkuar dhe e udhëhequr me vizion, ajo di të ringrihet, t’i shërbejë vendit dhe bashkë me të, të fitojë.
Zoti e bekoftë Lidhjen Demokratike të Kosovës!
Zoti e bekoftë popullin tonë!”










