Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se dialogu duhet të zhvillohet në pajtueshmëri me 2/3 e votave në Kuvend.
Ai përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se çdo formë tjetër e dialogut e bënë atë jo legjitim.
Siç thotë Hoti, “e para, dialogu të zhvillohet pas zgjedhjeve nga institucionet legjitime bazuar në përgjegjësitë e tyre kushtetuese. E dyta, formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse, e cila e përmbyll dialogun dhe e përgatit vendin për zgjedhje. Në të dyja rastet dialogu zhvillohet vetëm me pajtueshmërinë e 2/3 të votave në Kuvend”, shkruan Hoti.
Ky është postimi i plotë:
1. Procesi i dialogut duhet të zhvillohet vetëm me pajtueshmëri prej 2/3 të votave të Kuvendit. Çdo format tjetër i zhvillimit të dialogut e bënë atë jo legjitim dhe jo kushtetues. Pasi marrëveshja përfundimtare kërkon 2/3 e votave të Kuvendit për tu ratifikuar, atëherë edhe platforma për dialog është legjitime dhe kushtetuese vetëm kur miratohet me 2/3 e votave në Kuvend.
2. Duke qenë se institucionet aktuale nuk kanë legjitimitet politik për të përfaqësuar Kosovën në dialog, atëherë janë dy mundësi. E para, dialogu të zhvillohet pas zgjedhjeve nga institucionet legjitime bazuar në përgjegjësitë e tyre kushtetuese. E dyta, formimi i qeverisë gjithëpërfshirëse, e cila e përmbyll dialogun dhe e përgatit vendin për zgjedhje. Në të dyja rastet dialogu zhvillohet vetëm me pajtueshmërinë e 2/3 të votave në Kuvend.
3. Në cilëndo variantë, të gjithë ta kenë të qartë se integritetit territorial i Republikës së Kosovës dhe karakteri unitar i shtetit nuk negociohen. Kosova nuk mund të hyjë në pazare për territor. Me vullnet të lirë, në dakordim me partnerët ndërkombëtarë, më 17 shkurt 2008 deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë shpallur pavarësinë. Këtë vendim shteti i Kosovës e ka mbrojtur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila ka konkluduar se pavarësia e Kosovës nuk ka cenuar të drejtën ndërkombëtare.
4. LDK i ka adaptuar parimet bazë lidhur me dialogun dhe jemi të gatshëm të punojmë me të gjitha forcat politike karshi atyre parimeve.