Avdullah Hoti, nga radhët e LDK-së, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se posti i kryeministrit i takon partisë më të madhe në vend e një gjë të tillë nuk do ta diskutojnë me Vetëvendosjen.
Ai ka thënë se është mbajtur një takim i Mustafës me Kurtin, që ka qenë publik, kurse thotë se kanë mbajtur edhe një takim tjetër punues.
Hoti thotë se njëherë duhet që LDK-ja ta vendos të nominuarin e saj për kryeministër.
“Së pari duhet të vendosim të nominuarin tonë për kryeministër e duhet të shohim disponimin për të hyrë në koalicione. Në parim preferohet të shkohet vetëm në zgjedhje. Do të shohim se si do të vendoset në ditët e ardhshme”, ka thënë Hoti.
Tutje ai ka shtuar se ekziston një vullnet për të bashkëpunuar me Vetëvendosjen.
“Në këto dy vite kemi koordinuar opozitën dhe me Vetëvendosjen kemi pasur bashkëpunim të kënaqshëm dhe besoj se mund të gjejmë të përbashkëta përkundër që kemi disa dallime. Por, ajo që vlerësoj është se vullneti për të bashkëpunuar është i dy anshëm të shohim si do të konkretizojmë këtë”, thotë Hoti.
Sipas Hotit askush nuk mund t’i vendos ultimatume LDK-së, por edhe as partia e tij s’e bën një gjë të tillë, e një marrëveshje për bashkëpunim duhet të rrjedhë normalisht.
Hoti insiston se nuk do të diskutohet posti e kryeministrit.
“Nuk e di nëse insiston Vetëvendosje për kryeministrin. Besoj se është e natyrshme që qeveria të udhëhiqet nga partia më e madhe, pra nëse nuk ka një legjitimet të caktuar s’mund të udhëhiqet. Kryeministri i deritanishëm vjen nga partia e pestë, e mund të marrim shembull se kur nuk ke shumicë parlamentare nuk mund të qosh përpara programin qeverisës. Besoj se nuk duhet të jetë problem çështja e kryeministrit, e kjo nuk duhet të vendoset fare në diskutim dhe mendoj se duhet të ketë një rregull të caktuar”, thotë Hoti.
Ai shton se partia më e madhe është LDK-ja.
“Si partia më e madhe në vend dhe në bazë të numrit të deputetëve dhe sondazheve të bëra LDK-ja është partia më e madhe dhe është në rritje. Ne jemi duke u bërë gati për të marrë përgjegjësinë për udhëheq vendin. Nuk bëjmë kompromise në këtë çështje, e nuk e di nëse do të hyjmë në koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen, por parapëlqejmë të shkojmë vetëm në këto zgjedhje pasi jemi favorit për t’i fituar ato”, ka deklaruar Hoti.
Ai gjithashtu ka kritikuar qeverisjen e deritanishme.
“Në këto dy vite Kosova ka dështuar tërësisht duke mos u anëtarësuar në Interpol, mos liberalizim e skandale të tjera. Ndoshta do të na duhet një vit për me e sjell gjërat në vijë. Por, problemi numër një është papunësia, e dyta është korrupsioni e duhet të sigurohemi se askush që ka aktakuzë nuk mund të ketë një post politik”, u shpreh Hoti.