Hoti: Kosova po rreshtohet me vendet simbol të shkeljes së të drejtave të njeriut

Afrim Hoti, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare, ka folur lidhur me zhgënjimin e SHBA-ve me Albin Kurtin.

Ai ka thënë se Kosova tani po rreshtohet me vendet që kanë qenë viktima, përkatësisht subjekte të pezullimit të këtyre negociatave.

“Para së gjithash, rastin e Rusisë, rastin e Kinës, rastin e Bahreinit, kur regjime të caktuara zhvillojnë ose marrin vendime e veprime në politikën ndërkombëtare, qoftë edhe në kontekstin e brendshëm, sepse edhe në kontekstin e brendshëm kemi shumë problematika. Dhe tani rastin e Kosovës, e cila po listohet me këto vende që janë simbol i shkeljes së të drejtave të njeriut, simbol i veprimeve jodemokratike e të ngjashme. Pra, humbja është kredibiliteti, imazhi dhe respekti ndërkombëtar për të cilin shtetet luftojnë fuqishëm”, ka thënë ai.

Sipas profesorit Hoti, humbja e dytë e Kosovës është shumëdimensionale.

“Këtu flasim për një partneritet shumëdimensional, në kuptimin e bashkëpunimit bilateral në shumë fusha. Këtu hyn mbrojtja, siguria, arsimi, energjia, mjedisi, infrastruktura…”, ka theksuar ai.