Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i është kundërpërgjigjur menjëherë deklaratave të kandidatit për kryeministër të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili gjatë hapjes së fushatës në Mitrovicë sulmoi atë dhe deputeten Hykmete Bajrami lidhur me menaxhimin e buxhetit të shtetit.
Përmes një reagimi në Facebook, Hoti ka theksuar se sulmet e Kurtit ndaj tij dhe Bajramit vijnë si pasojë e opozitarizmit të tyre, i cili, sipas tij, ka nxjerrë në pah të vërtetën e qeverisjes aktuale.
Reagimi:
“Për Kurtin unë edhe Hykmete N. Bajrami jemi problem, sepse për pesë vite e kemi demaskuar mashtrimin e tij dhe të ministrave të tij.
Atë që e ka bërë LDK-ja, Hykmetja dhe unë në qeverisjen tonë mbahet mend nga qytetarët dhe bizneset. Nga atëherë ekonomia ka pësuar vetëm regres.
Jam i bindur se mendësia e pazareve të WhatsApp-it do të përfundoj me 28 dhjetor, sepse qytetarët nuk i durojnë më mashtrimet.”












