Hoti: BE-ja pezulloi mbi 600 milionë euro projekte për Kosovën

Avdullah Hoti nga LDK-ja thotë se masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës kanë pasur ndikim të thellë financiar për vendin, me një kosto të përgjithshme që arrin në 613.4 milionë euro për periudhën qershor 2023 – prill 2025.

“613.4 mln euro është kostoja totale e masave të BE-së ndaj Kosovës për periudhën qershor 2023 – prill 2025. Këtu përfshihen projektet e pezulluara për afat të pacaktuar”, ka shkruar Hoti.

Por sipas tij, nga kjo shumë, 7.1 milionë euro janë fonde të humbura përfundimisht.

“Nga kjo shumë, 7.1 mln euro janë të humbura plotësisht, të cilat parashiheshin për bujqësi, turizëm rural, ndërmarrje etj. Sektorët më së shumti të ndikuar janë: mjedisi 351 mln euro, energjia 114 mln euro, digjitalizimi 57 mln euro, kultura 15 mln euro etj”.