Punëtorët e ndërmarrjes publike “Hortikultura” në Prishtinë ende nuk i kanë marrë pagat për muajin gusht, ndonëse jemi në fund të tetorit. Pos kësaj, punëtorët e kësaj ndërmarrje i kanë edhe kushtet e punës të rënda.
Mirëpo vonesat në paga nuk janë rast i ri. Që nga viti 2023, punëtorët e “Hortikulturës” përballen herë pas here me të njëjtin problem, ndërsa drejtuesit e ndërmarrjes vazhdimisht e kanë arsyetuar me vonesat në pagesat që Komuna e Prishtinës ua bën ndërmarrjes.
Në një përgjigje për Gazetën Insajderi, në vitin 2023, drejtoresha e “Hortikulturës”, Nora Gagica, kishte arsyetuar vonesën e pagave si pasojë të mospagesës nga Komuna:
“Pagat janë ekzekutuar me 3 maj, por zakonisht ato ekzekutohen me datën 1 të muajit që fillon. Kjo vonesë është shkaktuar për shkak të mospagesave nga ana e Komunës karshi ndërmarrjes. Sidoqoftë, pagat janë ekzekutuar brenda afatit ligjor që është data 5 e muajit pasues”, kishte thënë ajo para 2 viteve.
Megjithatë, duket se problemi është përsëritur edhe këtë vit.
Insajderi ka kontaktuar sërish drejtoreshën e kësaj ndërmarrje, Nora Gagica, dhe është në pritje të një përgjigje zyrtare.