Holanda vuan, por del me 3 pikë ngë transferta në Lituani. Maqedonia e Veriut bën detyrën në shtëpi

Kanë përfunduar dy ndeshjet e radhës eliminatore të vlefshme për kualifikueset për Kupën e Botës 2026. Në Kaunas, Holanda mori një fitore shumë të vështirë 2-3 ndaj Lituanisë. “Tulipanët” kaluan fillimisht në avantazh të dyfishtë me golat e Depay 11′ dhe Timber 33′. Vendasit nuk u dorëzuan dhe barazuan shifrat brenda pjesës së parë me dy gola të shpejtë, Gineitis 36′ dhe Girdvainis 43′. Pjesa e parë mbyllet në barazim 2-2.

Pjesa e dytë nisi më mirë për vendasit që iu afruan shumë golit të avantazhit, por po nuk shënove do të pësosh. Me një aksion të shpejtë, Dumfries kroson nga krahu dhe Depay shënon me kokë, golin e tretë për Holandën dhe të dytin personal. Me dy golat e shënuar sot, Memphis Depay bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Holandës, 52 gola në total. Rezultati përfundimtar 2-3 për Holandën, e cila kryeson grupin G me 10 pikë pas 4 ndeshjeve. Polonia dhe Finlanda ndjekin me nga 7 pikë, Lituania e katërta me 4 pikë dhe Malta mbyll grupin me 3 pikë.

Në sfidën tjetër, Maqedonia e Veriut bëri detyrën në Shkup duke fituar 4-0 ndaj Liechtenstein. Golat për vendasit u shënuan nga Eljif Elmas 15′, Enis Bardhi 52′, Churlinov 56′, Qamili 83′.

Pas kësaj fitoreje, Maqedonia e Veriut rimerr vendin e parë në grupin J me 11 pikë, Uellsi në vend të dytë me 10 pikë, Belgjika në vend të tretë me 7 pikë, Kazakhstan në vend të katërt me 3 pikë dhe mbyll grupin me 0 pikë Liechtenstein. Belgjika pret në mbrëmje Kazakhstanin.

The post Holanda vuan, por del me 3 pikë ngë transferta në Lituani. Maqedonia e Veriut bën detyrën në shtëpi appeared first on Telesport.