Holanda bën thirrje për bashkëpunim ndërpartiak në Kosovë

Qeveria e Holandës vlerëson se progresi i Kosovës në rrugën drejt BE-së është ndërprerë për shkak të ngërçit politik në Kosovë.

Qeveria e Holandës ka publikuar vlerësimin e saj zyrtar mbi paketën e zgjerimit të Komisionit Evropian, duke konstatuar se përparimi i Kosovës në axhendën e Bashkimit Evropian ka ngecur për shkak të ngërçit politik që ka karakterizuar vitin 2025.

Ka bërë thirrje për bashkëpunim ndërpartiak për të zbatuar reformat, për të kapërcyer ngecjen legjislative dhe për të ndërtuar një qeveri efektive. Në bazë të raportit, progresi ka qenë i kufizuar, ose nuk ka pasur progres në sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, ndërsa ka shprehur drojë për mungesën e progresit në lirinë e medias, veçanërisht për shkak të përpjekjeve të fundit për të ushtruar ndikim politik.

Por, qeveria holandeze e ka vlerësuar pozitive që Kosova i është bashkuar në mënyrë të plotë Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe Sigurisë. Disa hapa pozitivë janë bërë edhe në  përmirësimin e bashkëpunimit policor në luftën kundër krimit të organizuar.

Në lidhje me të drejtat themelore, ka nënvizuar nevojën që Kosova të vazhdojë punën për të forcuar pozicionin e komuniteteve, përfshirë LGBTIQ+. Gjithashtu, menaxhimi i migracionit dhe azilit është vlerësuar kryesisht i kënaqshëm nga Holanda.

Në fund, ajo ka vlerësuar se nuk është arritur asnjë progres në normalizimin e marrëdhënieve  me Serbinë gjatë vitit 2025. Në këtë kontekst, ajo ka përsëritur se mbështet thirrjen që të dyja palët të kthehen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të shmangin veprimet e njëanshme, ndërsa ka potencuar rëndësinë e fillimit të procesit që çon në krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.