“Hojlund ka paguar fajet, që nuk ishin vetëm të tija. Në Itali mund të rilindë”

I intervistuar nga “MilanNews.it”, gazetari i “Daily Mail”, Chris Wheeler, që merret kryesisht me çështjet e lidhura me Manchester United, foli kështu për objektivin numër një të merkatos kuqezi, Rasmus Hojlund:

“Te Manchester United nuk funksionoi shumë për të. Shënoi 16 gola në sezonin e parë, por vetëm 10 në të dytin, prej të cilëve 4 në Premier League, që nuk mjaftojnë për një klub kaq të madh dhe çmim kartoni të lojtarit kaq të lartë. Duhet të kemi pak mëshirë për të, sepse luante në një skuadër mesatare dhe furnizohej shumë keq. Për më tepër, iu desh të mbante një barrë të madhe duke qenë kaq i ri. Nëse sulmuesit blihen për 72 milionë paund, ndodh sepse duhet ta ringrenë një skuadër. Ai nuk e bëri kurrë këtë”.

Çfarë i mungoi për t’u imponuar në futbollin anglez?
Nuk shënoi mjaftueshëm gola, kaq e thjeshtë. Nuk ishte cinik sa duhet para portës, siç duhet të jenë sulmuesit e mëdhenj. Është një sulmues fizik, por megjithatë u pa shpesh ta humbiste shumë lehtë dyluftimin. Nuk pati kurrë një lidhje të fortë me shokët e skuadrës.

Hojlund konsiderohet ndër sulmuesit më të dobët në historinë e Manchester United…
Jo, kjo do të ishte e padrejtë të thuhej. Ishte fatkeqësi që firmosi për një shumë të fryrë dhe luajti në një skuadër të dobët të Manchester United. Edhe sulmues të tjerë të shtrenjtë kanë vuajtur te “Djajtë e Kuq”: Gary Birtles dhe Alan Brazil në vitet ’80, në kohët më të fundit edhe emra si Radamel Falcao. Manchester United nuk ka pasur një qendërsulmues të madh që prej kohës së Robin van Persie dhe, për një periudhë të shkurtër, Zlatan Ibrahimovic.

A mund të rilindë në futbollin italian?
Shpresoj. Shifrat që tregoi tek Atalanta ishin aq të mira sa e bindën Manchester United ta blinte. Bëri mirë edhe te Sturm Graz. Shumë lojtarë që nuk patën sukses te Manchester United, si Romelu Lukaku, Alexis Sanchez dhe Matteo Darmian, kanë bërë mirë në Itali. Pastaj, Hojlund ka ende një karrierë të gjatë përpara.

The post “Hojlund ka paguar fajet, që nuk ishin vetëm të tija. Në Itali mund të rilindë” appeared first on Telesport.