Shqipëria ka arritur një tjetër moment historik, në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE-së, ka dhënë miratimin për të vijuar negociatat me vendin tonë për Grupkapitullin 5, që përfshijnë: Burimet, Bujqësinë dhe Politikat e Kohezionit.
Ky lajm madhështor, u dha nga kryeministri Edi Rama.
Rama deklaroi se Presidenca Daneze e BE-së është autorizuar tashmë të ftojë zyrtarisht Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues mbi këtë grupkapitull.
“Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të BE-së autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat mbi Grupkapitullin 5″, tha Rama.
Grupkapitualli në fjalë përbëhet nga sektorë me rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, si bujqësia, zhvillimi rural, menaxhimi i burimeve natyrore, si dhe politikat e kohezionit territorial dhe rajonal, të cilat janë themelore për përafrimin me standardet e BE-së dhe për përfitimin e fondeve europiane në mënyrë efikase dhe të drejtë.
Ajo që e bën këtë hap edhe më të rëndësishëm është fakti se Grupkapitulli 5 është kapitulli i fundit i negociatave, duke i hapur rrugë përmbylljes së fazës së hapjes së të gjithë kapitujve teknikë.
Kjo do të thotë se procesi i negociatave hyrëse për secilin grup tematik tashmë është i plotë, dhe Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret për të kaluar në fazën përfundimtare të përmbylljes së kapitujve dhe përgatitjes për anëtarësim të plotë.
The post Historike: BE i jep dritën e gjelbër Shqipërisë për hapjen e Grupkapitullit të fundit appeared first on Kosovapost.net.