Pesë vjet në paraburgim. Gati tri vjet proces gjyqësor. Beteja e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me drejtësinë e Dhomave të Specializuara në Hagë, po shkon drejt fundit. Por, cila ishte historia e kësaj beteje të gjatë? Nacionale sjell të përmbledhur zhvillimet kryesore, të një procesi që u përcoll me ‘dilema’ speciale.
4 nëntor 2020. Orët e para të mëngjesit. Njësitet e EULEX-it, të urdhëruara nga Gjykata Speciale në Hagë, kishin zbarkuar në shtëpinë e ish-zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Urdhri kishte ardhur pas vendimit nga gjyqtari i procedurës paraprake, Nicollas Guillou, për t’ia konfirmuar aktakuzën Jakup Krasniqit. Një bastisje e cila zgjati tetë orë, përfundoi me arrestimin e një prej figurave më të rëndësishme të UÇK-së.
5 nëntor 2020. Hashim Thaçi në rolin e presidentit të Kosovës, fton konferencë për media. Kadri Veseli në kohë pak a shumë të njëjtë, lëshon një deklaratë me shkrim për publikun në Kosovë. Njëjtë kishte vepruar edhe Rexhep Selimit. Ish-drejtori politik i UÇK-së njoftoi dorëheqjen, pas konfirmimit të aktakuzës. Thaçi, Selimi e Veseli shkuan në zyret e EULEX-it, për t’u nisur për në Hagë pasditen e pesë nëntorit.
6 nëntor 2020. Hetuesit e Prokurorisë do të nisnin një bastisje në shtëpitë e ish-eprorëve të UÇK-së.
Këto dy data, do të shënonin nisjen e një procesi gjyqësor të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me drejtësinë e Dhomave të Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë. Me akuzat për krime të luftës e krime kundër njerëzimit, katër prej eprorëve më të lartë të UÇK-së, do të akuzoheshin si ‘maja’ e një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale, siç pretendon se ishte UÇK-ja, Prokuroria e Specializuar në Hagë. Edhe pse pritej qe pas konfirmimit të aktakuzës procesi të zhvillohej më shpejt, një gjë e tillë nuk ndodhi. Në fakt, ajo që ndodhi, ishte krejtësisht e kundërta.
Stërzgjatja e një procesi
Pak ditë pas dërgimit në Hagë, Thaçi, Krasniqi, Veseli e Selimi, dolën për herën e parë para Gjykatës. Me pak fjalë, të gjithë nuk e pranuan fajësinë. E në nisje të procedurave në Hagë, pavarësisht konfirmimit të aktakuzës, Prokuroria e Specializuar e Hagës, doli se nuk ishte as afër nisjes së gjykimit. Kjo pavarësisht se në seancë publike, prokurorët kishin deklaruar se brenda pak muajsh procesi do të niste.
U prezantuan statistika për mbi 300 dëshmitarë, mijëra faqe dokumente, materiale e prova të shumta. Shumë sasi, çka kishte obliguar ekipet mbrojtëse të merren me sasi jashtëzakonisht të madhe të dokumenteve. Por, edhe më tutje, nuk shihej gati nisja e procesit gjyqësor. Këtë veç sa e kishte shtyrë edhe më shumë plotësimi i aktakuzës me krime të tjera të pretenduara, që Prokuroria thoshte se janë kryer në Budakovë dhe në konviktin në Gjilan.
Do të duhej të kalonin gati tri vjet kohë, pra nga nëntori 2020 deri në prill 2023, që Prokuroria e Hagës edhe zyrtarisht të ishte gati për ta filluar procesin gjyqësor. Ata 300 dëshmitarë të cilat Prokuroria thoshte se do t’i ftonte, më nuk do të shiheshin. Numri kishte rënë dukshëm.
Dy prej figurave kryesore të Prokurorisë së Specializuar, Jack Smith si kryeprokuror, e Alex Whiting, si shef i hetimeve, do ta braktisnin rastin që vetë e nisën, dhe shkuan për ta nisur një tjetër proces në Amerikë, atë kundër Donald Trump. Por, që ky i fundit iu dështoi, pas rizgjedhjes së presidentit amerikan. Prokuroria e Specializuar do të mbetej në kryesimin e Kimberli West, dhe me fytyra kryesisht të reja të prokurorëve.
Beteja në gjykatore
Saktësisht, 125 dëshmitarë dëshmuan në sallën e seancave në Gjykatën Speciale të Hagës. Për 2 vjet të plota, Prokuroria prezantoi rastin e saj, dëshmitarët, provat për të tentuar vërtetimin e akuzave që ka ngritur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dhe udhëheqësit e ‘Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale’ kishin përgjegjësi për krime të kryera në Kosovë gjatë luftës. Më saktë, nga marsi 1998 deri në shtator 1999. Prej 125 dëshmitarëve, identetitin e tyre publiku e diti vetëm për 53 dëshmitarë. Prej tyre dihet se 31 prej tyre janë shqiptarë, 15 janë ndërkombëtarë ndërsa shtatë serbë. Kurse në seanca private kanë dëshmuar 71 persona.
Pra, si rezultat, pjesa më e madhe e seancave, ishin private, çka nxiti reagime të shumta në Kosovë për nivelin e transparencës që po ofrohet nga ky gjykim.
Një pjesë e dëshmitarëve që dëshmuan në sallën e Gjykatës Speciale ishin ish-udhëheqës të UÇK-së, si Rrustem Mustafa-Remi, Sylejman Selimi, Bislim Zyrapi, Shukri Buja, komandantë të zonave, udhëheqës të brigadave. Nëpërmjet dëshmive të tyre, Prokuroria synonte ta bindte trupin gjykues se UÇK-ja ishte ushtri me hierarki, e jo organizim i çrregullt e popullore siç janë të bindur avokatët.
Dëshmitarë të tjerë ishin viktima të pretenduara të ndalimeve, e krimeve të tjera. Në mesin e atyre që dëshmuan publikisht për këto pretendime ishin vëllai i Gani Gecit, Imer Imeri, vëllai i Haki Imerit, Gjergj Dedaj, një numër serbësh, por edhe dëshmitarë të tjerë në seanca private.
Provat nga Serbia
Në mesin e mijëra faqeve, dokumenteve e provave të cilat i prezantoi e përdori Prokuroria e Hagës, një numër prej tyre ishin të ardhura nga Serbia. Dhe kjo, kishte ndodhur nga fillimi. Gjykata Speciale kishte pranuar prova të tilla, dhe pavarësisht ankesave deri në Gjykatën Supreme të Hagës, Specialja kishte konstatuar se fakti që janë nga Serbia, nuk i bën këto dëshmi të papranueshme, dhe se për do do të vendoset në fund të procesit.
Disa javë më parë, Nacionale kishte raportuar ekskluzivisht për një numër të madh provash që u pranuan në fund të gjykimit nga Serbia. Disa ishin të Ushtrisë së Serbisë e komandës “për Kosovën e Metohinë”, që me aktgjykim të Tribunalit të Hagës, është pjesë e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale serbe, që kreu krime në Kosovë. Prova të tjera u pranuan nga MUP-i serb, e institucione të tjera të Beogradit zyrtar.
Kjo kishte shkaktuar reagime të mëdha në Kosovë. Një grup juristësh të njohur nga Kosova, përfaqësues të shoqërisë civile, i ishin drejtuar me letër Gjykatës Speciale në Hagë. “Si profesionistë dhe zëra të shqetësuar, e konsiderojmë thellësisht problematike që dokumente të prodhuara nga institucione shtetërore serbe të viteve ’90, përfshirë shërbimet e sigurisë, të mund të trajtohen sot si prova legjitime në këtë gjykatë. Ky zhvillim ka kontribuar në përshkallëzimin e krizës së besimit publik në këtë institucion, i cili po shihet gjithnjë e më shumë me skepticizëm nga qytetarët që supozohet t’i shërbejë. Prandaj, legjitimiteti i këtij procesi nuk duhet të bazohet vetëm në përmbushjen formale të rregullave, por në nevojën për të përmbushur standarde të paanshmërie nga qytetarët e Kosovës”, thuhej në letrën e tyre.
Pyetjet e gjyqtarëve
Procesi gjyqësor ishte i gjatë. Dëshmitarët u pyetën nga të gjitha palët, por ajo që e dalloi këtë proces, ishte sidomos fakti që gjyqtarët po drejtonin pyetje të shumta për dëshmitarët. Madje, deri në një fazë të procesit, më shumë kohë për pyetje kishin disa nga gjyqtarët, se ekipet mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së.
Nacionale kishte raportuar me video disa prej pyetjeve në këto raste, ku gjyqtarët, kishin drejtuar edhe pyetje sygjestive e orientuese. Teksa e pyeste dëshmitarin Hajrush Kurtaj, gjyqtari zviceran Genel Metro, bazohej në pyetje ‘imagjinative’. “Le të imagjinojmë për një çast sikur të kenë kryer krime, përgjegjësi e kujt do të kishte qenë brenda brigadës që të ndërmerrte hapa kundër personave brenda brigadës së tyre, nëse do të merrnin dijeni për këto veprimet e tyre. Kush ishte përgjegjës për marrjen e masave?” pyeti gjyqtari Metro. “Të supozojmë se është kështu siç është kjo. Po na thoni që brigada 161 vepronte ndryshe nga brigada 162 për këtë çështje. Në rastin e brigadës 161 ushtari po ta lëshonte pozicionin disiplinohej, kurse në brigadën 162 jo. Këtë po dëshmoni?”, pyeti Metro. “Të iu pyes edhe një herë, mbase një pyetje spekuluese. Po të kishte ndodhur kjo në brigadën tuaj, pra siç ka ndodhur në këtë dokument, ta kishte lëshuar, të ishte larguar nga pozicioni ushtari, ju nuk do të merrnit asnjë masë disiplinore?”, tha gjyqtari zviceran.
E bazuar në thashetheme, kishte bërë pyetje për dëshmitarin Rrustem Tetaj, një tjetër gjyqtar. “Çfarë ishin thashethemet, sipas këtyre thashethemeve, këta persona po i rrëmbente UÇK-ja, forcat serbe, kush?”, pyeste gjyqtari gjerman!
Kur ishte pyetur nga Nacionale, kryetarja e Gjykatës Speciale, e kishte pranuar se këto pyetje janë të ndaluara. Por, me një vendim, kjo ishte arsyetuar që është bërë për të ndihmuar dëshmitarët. “Unë nuk kam dëgjuar pyetje të llojit të tillë, por unë të besoj ty. Por nëse dëshmitari është laik, ndoshta nuk është e lehtë të kuptojë pyetjen, dhe kështu gjyqtarët tentojnë ta thonë psh le të supozojmë. Duke e bërë pyetjen në një skenar më të thjeshtë, që mund të punojë me njohurinë e dëshmitarëve, dhe dëshmitari mund ta kuptojë pyetjen”, tha më tutje kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës.
Gjyqtarë e prokurorë me ‘llajka’ nëpër rrjete sociale
Gjyqtarët e Prokurorët e Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë, nuk i rezistuan politikës. Dhe kjo, tashmë është dëshmuar në disa raste, madje ku ishin të përfshirë edhe udhëheqësit e Prokurorisë së Specializuar në Hagë. Kryeprokurorja e Prokurorisë së Hagës, Kimberli West, kishte pëlqyer një postim me kritika e fyes kundër presidentit të Amerikës. Aty thuhej se “Presidenti Trump, shumica e anëtarëve aktualë republikanë janë preversitet i konceptit të shërbimit publik”. Pasi që kishte reaguar emisari Richard Grenell, postimi ishte fshirë dhe pëlqimi ishte hequr. Këtë postim e kishte pëlqyer edhe prokurorja Siliva D’Ascoli, por që e njëjta më pas e largoi mbiemrin nga profili i saj, dhe tani figuron vetëm me emrin Siliva D’.
Gjyqtari në rastin ndaj Thaçit, zvicerani Genauel Mettraux, kishte pëlqyer një postim kundër presidentit amerikan Trump dhe qeverisë amerikane. Pasi që Donald Trump ishte shfajësuar për rastin e Stormy Daniels, ai pëlqeu postimin ku thuhej “A ka qeveria amerikane ende mësime për t’i dhënë dikujt”. I njëjti gjyqtar, kishte pëlqyer një postim nënçmues ndaj sekretarit të mbrojtjes, Hegesth, ku ai quhej “mizor”. .Prokurorja e Speciales, Alexandra Insinga, siç raportoi Nacionale para disa ditësh, ka disa postime të pëlqyera kundër presidentit amerikan, Donald Trump. Madje, disa edhe i ka shpërndarë. Ajo pëlqente një postim ku thuhej se Trump është kërcënim për demokracinë. Ajo gjithashtu, kishte pëlqyer postime ku presidenti amerikan, akuzohej për mizogjini.
Gjyqtarja e procedurës paraprake në rastin e Thaçit, Masselot, kishte pëlqyer fotografi të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me një zyrtar francez. Ajo fillimisht e kishte hequr pëlqimin, e më pas e mbylli llogarinë. Gjykata Speciale ishte arsyetuar se pëlqimi është bërë para se ajo të emërohej si gjyqtare në Hagë. Prokurori Cezary Mihalczuk, që kishte punuar për kohë të gjatë edhe në EULEX në Kosovë, kishte pëlqyer postime kundër presidenti Trump, ku ai akuzohej për rritjen e çmimit të vezëve. Në një tjetër pëlqim, Trump kritikohet pse e ka përmendur Jack Smithin në një konferencë për media.
Asnjë shans për lirim nga paraburgimi – as leje për varrime
Që nga dita e parë e dërgimit në Hagë, Gjykata Speciale, bazuar në kërkesat e Prokurorisë, e vazhdonte paraburgimin. Me arsyetime të njëjta, kërkesa të njëjta nga Prokuroria, theksohej se ish-eprorët e UÇK-së mund të ndikojnë në dëshmitarë e të dëmtojnë prova. U refuzua lirimi me kusht në një vend të tretë, u refuzua arresti shtëpiak, u refuzua garancia e Policisë së Kosovës.
Pavarësisht që tash e sa muaj kanë përfunduar dëshmitarët e Prokurorisë, gjyqtarët sërish vendosën t’ua vazhdojnë paraburgimin katër krerëve të UÇK-së. U refuzua një kërkesë për lirim me kusht, me arsyetimin se të akuzuarit i dinë emrat e dëshmitarëve, e madje, se mund të ndikojnë edhe tek dëshmitarët e mbrojtjes!
Pavarësisht se me vendim të gjyqtarëve, rrezik të arratisjes nuk ka, rrezik të përsëritjes së veprës nuk ka, rrezik të ndikimit në dëshmitarë, nuk ka gjithashtu pasi dëshmitarët kanë përfunduar, paraburgimi në këtë rast ishte rregull, e jo përjashtim siç e përcakton Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut.
Sikur të mos mjaftonte paraburgimi, kushtet në Qendrën e Paraburgimit janë kufizuar dukshëm. Kjo pas ngritjes së aktakuzës ndaj Hashim Thaçit për tentim-pengimi të drejtësisë, dhe disa përgjimeve nga vizitat. Thaçi, Veseli e Selimi, pranojnë vetëm 5 vizita në muaji. Madje, Thaçit së fundmi iu ndaluan vizitat nga 11 persona. Secila vizitë përgjohet, me gardian e përkthyes.
Hashim Thaçit iu refuzuan disa kërkesa për ta vizituar babain në gjendje të rëndë shëndetësor. Pak ditë para vdekjes, ai erdhi në Kosovë. Por, nuk u lejua në varrim. Njëjtë siç nuk ishin lejuar për varrime as Jakup Krasniqi për vëllanë e tij, e Kadri Veseli për prindërit, çka gjithashtu ishte ngritur si shqetësim nga Avokati i Popullit në Kosovë.
“Avokati i Popullit”
Në Gjykatën Speciale të Hagës, ekziston edhe Avokati i Popullit. Por, që nga nisja e rasteve në Hagë, ai nuk e ka aprovuar as edhe një ankesë të të akuzuarve në Hagë. Nga 36 ankesa, 21 i ka vlerësuar të papranueshme, 5 janë tërhequr nga ankuesit, 8 të tjera janë rrëzuar. Pra, as edhe një ankesë e pranuar nga Avokati që do të duhej të kujdesej për të drejtat e njeriut në Hagë.
Nacionale kishte raportuar se së fundmi, krerët e UÇK-së kishin refuzuar ta takonin Avokatin Pietro Spera. Sipas burimeve të mirëinformuara të Nacionales, katërshja udhëheqëse e UÇK-së, në lidhje me refuzimi e vizitës nga ky institucion brenda gjykatës, i ka renditur një për një shkeljet që, sipas tyre, DHSK-ja ka kryer ndaj tyre dhe për të cilat Ombudspersoni ka heshtur. Krerët e UÇK-së janë ankuar për “trajtime çnjerëzore” nga Njësisa Paraburgimit, si dhe për një sërë shkeljesh të tjera të rëbda që, sipas tyre, janë injoruar nga Avokati i Popullit, ndonëse ai është mandatuar pikërisht për të adresuar raste të tilla. Madje, i kanë bërë të ditur se me këtë qasje të heshtur, ai ka cenuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Përveç të tjerash, sipas burimeve të Nacionales, krerët e UÇK-së kanë bërë të ditur se shkeljet në fjalë i kanë adresuar edhe Avokatit të Popullit në Kosovë.
Nacionale ka mësuar nga burime të sigurta se krerët e UÇK-së janë ankuar për kufizime ekstreme në komunikimet bazike me avokatë.
Në letrën të cilën Nacionale mëson se e kanë dërguar Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi, thuhet se këto kufizime, janë shkelje e të drejtave themelore të njeriut. Ata në letër, siç mëson Nacionale, kanë përmendur raste specifike kur u janë aranzhuar takime të papritura me avokatë, dhe kjo në ambiente krejtësisht të papërshtatshme. Pjesë e kësaj ankese është edhe fakti i të drejtës për informim. Thaçi e të tjerët kanë thënë se po u mohohet gjatë gjithë kohës qasja në mediat e Kosovës, për t’u informuar në lidhje me zhvillimet në Kosovë. Këto shkelje të të drejtave themelore të njeriut dhe të akuzuarve ashtu siç edhe e kanë nënvizuar Thaçi dhe të tjerët, po ndodhin në kohën më kritike të mundshme kur mbrojtja po përgatit çështjen e vet që do ta prezantojë në gjykatë. Letra në fjalë e krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri tash ka mbetur pa përgjigje nga Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Gardiani që u kthye në prokuror
Një nga skandalet më të mëdha të ndodhura së fundmi, ishte fakti se si një gardian në Qendrën e Paraburgimit, John Devaney, u kthye në Prokuror. Në seancën e 27 marsit këtë e kishte vërejtur Hashim Thaçi, dhe kishte ngritur zërin ashpër për këtë situate. Së fundmi u publikua edhe transkripta, mbi atë se çfarë kishte thënë ish-presidenti i Kosovës në seancë të mbyllur.
“U befasova vërtetë sot kur pashë përballë nesh zotërinë në fjalë. Nuk ia di emrin, por kjo nuk ka rëndësi. Kur na sollën këtu në qendrën e paraburgimit, ai u prezantua si roje, pastaj si hetues në qendrën e paraburgimit, më pas si zëvendësshef i kësaj qendre, dhe nganjëherë edhe si shef i qendrës së paraburgimit. Dhe ka fakte dhe dëshmitarë që vërtetojnë atë që po them. I nderuar, zotëria në fjalë – sot Prokuror; dje roje burgu – ka kryer [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR]. Dhe ne, të akuzuarit në procesin numër 6, nuk përdorim as cigare. Ai personalisht e ka bërë, ky Prokuror aktual, [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] mekanizma në këtë qendër paraburgimi. [E REDAKTUAR] [E REDAKTUAR] Në raste të caktuara, i nderuar dhe Paneli juaj, ai ka cenuar fizikisht dhe kërcënuar. Ky prokuror, nga praktika që ka përdorur, [E REDAKTUAR)”, thuhet në transkriptë.
Përveç kësaj, Thaçi kishte thënë se dëshiron që fjalën e tij ta bëjë në seancë publike. Theksoi se Specialja është Gjykatë e Kosovës.
“Kjo Gjykatë është një gjykatë e Kosovës. Ajo është themeluar nga Kuvendi i saj për të punuar mbi bazën e ligjeve të saj kushtetuese, dhe unë besoj se kjo do të jetë deri në fund të procesit. Megjithatë, problemet që kemi pasur gjatë këtyre katër viteve e gjysmë, gjatë kësaj periudhe, dhe meqë e shoh këtë prokuror para nesh, unë dua të shpreh shqetësimet e mia që ju si trup gjykues dhe ju si kryetar i trupit gjykues të jeni në dijeni”, kishte thënë Thaçi.
Megjithatë, kërkesa e mbrojtjes së Thaçit lidhur me këtë prokuror, ishte rrëzuar nga gjyqtarët, ashtu siç deri tash, janë rrëzuar thuajse 99% e kërkesave.
Probleme me financa
Në fillim të procesit, Kadri Veseli e kishte si avokat njërin prej emrave më të njohur në sistemet juridike perëndimore. Fjala ishte për Ben Emmerson. Hashim Thaçi po mbrohej nga dyshja Gregory Kehohe e Luka Misetiq. Megjithatë, fundi i gjykimit, i gjen si Thaçin e Veselin, pa dy prej avokatëve kryesorë. Kjo si rezultat, i problemeve të theksuara financiare.
Letra të shumta ishin dërguar në adresë të qeverisë për fonde shtesë, megjithatë përgjigje nuk pati. Për këtë, Nacionale kishte raportuar ditë më parë. Më 12 gusht 2024, Fondacioni “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, ka dorëzuar një kërkesë zyrtare për rritjen e fondeve që do të mbulojnë nevojat për mbrojtje juridike të ish-krerëve të UÇK-së Letra iu është dërguar kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kryeministrin Albin Kurti dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Në këtë letër, Bordi i Fondacionit thekson se kufizimet e vendosura në shpenzimet për mbrojtjen juridike, të cilat janë përcaktuara me Udhëzimin Administrativ MD-NR.01/2024, kanë vënë ekipin mbrojtës të ish-presidentit Thaçi në një situatë të pamundur për të përmbushur detyrimet e tij. Fondacioni njofton se, për shkak të mungesës së fondeve, një nga avokatët kryesorë është larguar, dhe avokati aktual i angazhuar kishte paralajmëruar se mund të largohet deri në fund të muajit.
Pavarësisht se qeveria e drejtuar nga VV-ja publikonte statistika, të mbi 30 milionëve të ndara deri më tash, me Udhëzimin e ndryshuar nga ministrja Albulena Haxhiu, ishte fshirë neni që lejonte kërkesa urgjente për fonde shtesë nga avokatët e krerëve të UÇK-së.
Protesta në Prishtinë e Hagë
Një ditë para se gjykimi të fillonte në prill të vitit 2023, në Prishtinë do të organizohej një nga protestat më të mëdha në Kosovën e pasluftës. Mijëra qytetarë, kërkuan që procesi të ishte i drejtë, e pa ndërhyrje. Një ditë më pas, protestë pati në Hagë nga mërgimtarët, në ditën kur nisi gjykimi.
Një tjetër protestë u organizua javë më parë në qendër të Prishtinës, pas pranimit të provave nga Serbia, e disa zhvillimeve të tjera në Gjykatën Speciale të Hagës. E një tjetër, do të organizohet më 14 shtator, sërish në Hagë.
Fundi
Kësaj sage, po i shihet fundi. Nga 15 shtatori, do të jetë radha e ekipeve mbrojtëse për të paraqitur provat e tyre. Hashim Thaçi pritet t’i ketë 11 dëshmitarë në sallën e gjykimit, e Jakup Krasniqi dy të tjerë. Në mesin e emrave, pritet të jetën figura të njohura si Wesley Clark, Bernard Kouchner, William Walker, Daan Everts e të tjerë. Fundi i nëntorit është caktuar si afat për mbylljen e rastit të mbrojtjes, e fundi i dhjetorit si datë për dorëzimin e dosjeve përfundimtare.
Me këtë kalendar të përafërt, një aktgjykim në shkallën e parë mund të pritet në fillim të muajit prill. Prilli, që ishte date e nisjes së këtij procesi, pritet të jetë muaj edhe për mbylljen e tij me vendim. E cili do të jetë vendimi, i mbetet kohës ta dëshmojë.