Historia e Kosovës “shitet” për 50-60 euro?

Historia e Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë, po rrëfehet nga një i huaj. Turistët ecin pa guidë të tyre, ndërsa pak më poshtë, një guidë vendore pret për punë.

Muhamer Haani njeh çdo gur të kësaj xhamie, apo siç njihet ndryshe “Xhamia e Pazarit” apo “E gurit”, e cila daton nga fundi i shekullit XIV dhe fillimi i shekullit XV. Por gjatë muajit gusht pati mundësi vetëm dy herë ta tregojë historinë e këtij monumenti para turistëve.

Më shumë kërkesë nuk pati, edhe pse qyteti vlonte nga vizitorët. Asociacioni që ai drejton ka mbi 150 anëtarë, por vetëm një numër i vogël, thotë ai, janë aktivë.

Vendin e tyre po e zënë guidat e huaja, që vijnë bashkë me grupe turistësh nga shtete dhe kontinente të ndryshme. Një guidë me prejardhje meksikane rrëfen para një grupi turistësh për Qendrën e familjes Jashari kundër forcave serbe.

Ndërsa një maqedonas tregon se si Skënderbeu i bëri rezistencë osmanëve.

Në rrugët e Prishtinës e të qyteteve të tjera të Kosovës, ndërsa turistët eksplorojnë trashëgiminë kulturore, udhërrëfyesit vendorë enden pa punë, duke pritur një mundësi për të treguar ngjarjet që i dinë mirë, e shumë prej të cilave i kanë përjetuar edhe vetë.

Derisa turistët mësojnë historinë e Kosovës nga guidat e huaja, sipas Haanit, mënyra si po e japin historinë e vendit është një “tragji-komedi”.

Ai shpjegon se në disa raste, historia e Kosovës dhe figurat kombëtare prezantohen gabimisht.

Nganjëherë, guidat e huaja, sipas tij, devijojnë historinë bazuar në nacionalitetin e tyre, shpesh duke përhapur edhe mesazhe antiamerikane.

Ajo që më së shumti e shqetëson Haanin është mosinteresimi i institucioneve të Kosovës për guidat vendore, por edhe për ato të huaja, që nuk kontrollohen kurrë.

Vitin e kaluar, dhjetëra guida nga Kosova u trajnuan dhe certifikuan nga Federata Evropiane e Guidave.

Guidat e trajnuara mund të udhëheqin grupe turistësh me përvojë dhe kërkesa. Sa më shumë që një guidë di gjuhë të huaja, aq më e madhe konsiderohet mundësia që të prezantojë historinë dhe kulturën e vendit në mënyrë të saktë dhe tërheqëse. Kohët e fundit, në qytetet e Kosovës janë parë turistë të shumtë, jo vetëm nga Evropa, por edhe nga Amerika Latine.