Edhe pas disa dështimeve për të zgjedhur kryetare të Kuvendit deputeten Albulena Haxhiu, VV-ja insiston se me të njëjtën kandidate do të synojë edhe në të ardhmen. Madje, pas ndërprerjes së tretë të seancës konstituive, zyrtarët e VV-së kanë vlerësuar se PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk mund të ua imponojnë se cilin deputet mund të zgjedhin për kryetar të Kuvendit.
Deputeti i VV-së, Hekuran Muta, ka thënë se opozita e deridjeshme duke mos e votuar Haxhiun për kryeparlamentare, po e bllokojnë konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.
Duke “harruar” se si ka vepruar në të kaluarën VV-ja, në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se është në vullnetin e kësaj partie të vendos për këtë çështje.
“Kushtetuta e kërkon që në postin e Kryetarit dhe Nënkryetarëve mund të zgjedhen vetëm personat që janë bërë deputetë, pra nuk mund të zgjedhet dikush që nuk është bërë deputet. Kjo len të kuptohet që secili deputet i zgjedhur është i denjë për postin e Kryetarit, përkatësisht Nënkryetarëve, por që diskrecioni për të propozuar se cili nga deputetët bëhet Kryetar i Kuvendit i takon partisë fituese, përkatësisht propozimi se cilët deputetë bëhen Nënkryetarë të Kuvendit u takon tri partive më të mëdha”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, PDK, LDK dhe AAK nuk mund të vlerësojnë se cilin deputet të saj VV-ja e propozon për kryeparlamenatar.
“Pra, ngjashëm sikurse nuk na takon neve të vlerësojmë se kë e propozojnë PDK e LDK për pozitën e Nënkryetarit, për aq sa e plotësojnë kushtin të jenë deputetë të zgjedhur, e njëjta vlen edhe për postin e Kryetarit të Kuvendit – e drejta ekskluzive e propozimit i takon LVV-së si parti fituese, dhe përderisa plotësohet kushti i të qenit deputet i zgjedhur, të gjithë deputetët e Kuvendit duhet ta votojnë, në pajtim me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai.
Por, partia e Albin Kurtit krejt ndryshe kishte vepruar në të kaluarën. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, VV-ja nuk kishte treguar aspak vullnet politik për të mbështetur koalicionin PAN në zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Meqenëse ky koalicion nuk i kishte votat e mjaftueshme për ta bërë Kadri Veselit kryetar të Kuvendit, kryetari i VV-së, Albin Kurti, kishte propozuar në kandidat konsensual për kryetar të Kuvendit.
“Nëse kandidati i paraqitur nga PAN-i nuk do të marrë votat e duhura, atëherë kandidati ynë i përbashkët do të mund të votohet në seancë”, kishte thënë Kurti nga foltorja e Kuvendit.
Ai kërkonte që ky koalicion nuk duhet të propozonte për këtë post ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin.
“Nëse nuk i ka votat zotëri Veseli, unë jam i bindur që në mesin e ka shumë kandidat që i kanë votat”, kishte thënë Kurti.
Aso kohe të njëjtën gjë e kërkonte edhe Glauk Konjufca, tani nënkryetar i VV-së.
“Mendoj se Kadri Veseli do të rrezohet dhe koalicioni PAN do të detyrohet të vendos tjetër person në funksion të kryetarit të parlamentit të Republikës së Kosovë”, kishte thënë Konjufca.
Ky i fundit në tentimin e djeshëm të konstituimit të Kuvendit ka kërkuar nga partitë politike marrëveshje për cështjen e kryetarit të Kuvendit.
Ndenjëse ka kërkuar ndihmën e partive tjera, nga foltorja e Kuvendit ai ka thënë se kandidate e VV-së për kryetaret të Kuvendit mbetet Albulena Haxhiu.
“VV-ja pa dyshim që e ka emrin e njëjtë, është zonja Albulena Haxhiu si e propozuar. Por ne meqenëse e kemi parë që të gjitha subjektet politike qysh dje janë proncuar se do ta kenë qëndrimin e nëjjtë, kjo situatë politike nuk mund të zgjidhet përveç me një marrëveshje politike. Pa krijimin e një mazhorance këtu për kryetarin e Kuvendit nuk do të mund të themelohet Kuvendi, e njëjta është edhe për nënkryetarët. Sikur ta kishim shumicën, do të bllokonim edhe nënkryetarët. A është e arsyeshme? Ne z.kryesues kërkojmë kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë”, ka thënë Konjufca.