Hipokrizia e Kurtit: Sot kërkon hetim ndaj UBO-së, dikur e quante organizatën më kredibile në Kosovë

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, dhe eksponentët e partisë në pushtet janë nervozuar fort me matjet e opinionit publik që janë bërë ditën e zgjedh. Vetëm pse këto matje nuk ia kanë qëlluar rezultatit për kryetar të Komunës së Mitrovicës, ata janë hedhur në sulm ndaj këtyre kompanive, duke kërkuar hetim prej organeve të drejtësisë.

I pari i VV-së dhe vartësit e tij kanë harruar se dikur lavdëronin shumë njërën prej këtyre kompanive.

Madje, Albin Kurti dhe Besnik Bislimi dikur thoshin se UBO Consulting është kompania më kredibile në Kosovë për matjen e opinionit publik.

Në një intervistë për “Jeta në Kosovë”, Kurti kishte thënë se UBO është organizata më kredibile në Kosovë.

Shikoni sondazhet, të cilët i bënë organizata më kredibile në Kosovë e që i lexojnë që të gjithë. Prej NDI dhe ambasadave, deri te secili subjekt. Domëthënë UBO Consulting është ajo që i bën sondazhet”, kishte thënë Kurti.

Të njëjtin mendim e kishte edhe zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi.

Në vitin 2020, ai kishte thënë se UBO është organizata më kredibile jo vetëm në Kosovë.

Sipas tij, kredibiliteti i kësaj kompani është rajonal.

Sondazhi është kryer ngaisntucni UBO, i cili është institucioni më kredibil në Kosovë, ndoshta në rajon për sa i pelry hulumtimit të opinionit publik”, kishte thënë ai.

Çka tha Kurti?

Lideri i VV-së, Albin Kurti, dje ka shprehur revoltën e tij ndaj kompanive që kanë nxjerr exit polle ditën e diel.

Në një konferencë për media, ai ka pretenduar se këto huqje kanë qenë të qëllimshme.

Ajo që ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën, duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë për huqje, por për ingjiniering të paramenduar, ndërhyrje flagrante në proces. Exit Pollet e prezantuara gabimisht me 16% dallim nga më shumë se një organizatë, për të njëjtën komunë, postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendovtimet, nuk janë thjeshtë huqje, është cenim i demokracisë, zgjedhjeve të lira, integritetit e sigurisë. I ftoj organet e sigurisë e drejtësisë të merren me këtë çështje”, është shprehur Kurti.

Këto thirrje të Kurtit janë cilësuar si të rrezikshme.

Juristja e mediave, Flutura Kusati, ka vlerësuar se pretendimet e Kurtit janë të pavërtetat.

Kryeministri Kurti i paska ftuar organet e drejtësisë që të hetojnë raportimet (exit polls por indirekt i ka përfshirë edhe mediat) për rezulatet e zgjedhjeve dhe paska vendosë që ka qenë ndërhyrje në procesin zgjedhor. Kjo është e pasaktë. Procesi zgjedhor ka qenë i përfunduar kur janë publiku exit polls. Unë i ftoj organet e ndjekjes me qëndru sa më larg, sa më larg, idesë së hetimit të raportimeve dhe kompanive që bëjnë exit polls. Poashtu, ma merr mendja që KPM-ja është duke i fërku duart dhe duke e shiku mundësinë me u përzi meqë Kurti ka bërë thirrje”, ka shkruar ajo.

Sipas saj, kompanitë që ia kanë huqur do t`i paguajnë me kredibilitetin e tyre.

Edhe organet e ndjekjes edhe KPM-ja duhet të qëndrojnë larg kësaj teme dhe asnjë hetim nuk duhet të hapet. Exit pollat ia kanë huqë por ato duhet me pagu me kredibilitet ashtu siç duhet me pagu me kredibilitet moderatorët e emisioneve që na kanë ofru informacione të pasakta, sidomos nëse i angazhojnë përsëri të njëjtat kompani”, ka shkruar ajo.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka vlerësuar si të rrezikshme thirrja e Albin Kurtit për hetime për Exit-pollet në media.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e sheh me shqetësim deklaratën publike të kryetarit të Vetëvendoejs, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për hetim nga ana e “organeve të drejtësisë dhe sigurisë”, pas publikimit të exit polleve nga tri televizione, për zgjedhjet lokale. Mediat në Kosovë kanë respektuar Ligjin për Zgjedhjet dhe rregulloren e KPM-së, dhe nuk kanë postuar asnjë Exit Poll, para orës 19:00, deri në momentin kur janë mbyllur qendrat e votimit. Rrjedhimisht, nuk ka pasur asnjë ndërhyrje në procesin zgjedhor nga ana e mediave”, ka vlerësuar AGK-ja, duke dhënë detaje tjera.

AGK-ja i vlerëson si shumë të rrezikshme thirrjet e Kurtit për hetime pas publikimit të këtyre Exit Polleve, pasi që ato përbëjnë sulm të hapur ndaj lirisë së medias. Exit Pollet kanë histori të gabimeve edhe në shumë vende të tjera demokratike, duke përfshirë SHBA-të në vitin 2016. AGK-ja e fton zotin Kurti dhe partinë e tij që të mos ndërhyjë dhe të mos bëjnë presion ndaj mediave gjatë punës së tyre për mbulimin e zgjedhjeve”, është thënë në reagimin e AGK-së.