Hipokrizia e Albin Kurtit | Dy vite pasi e heroizoi Oliver Ivanoviqin, i shkruan letër kryediplomates evropiane për krimet në “natën e tmerrit” në Mitrovicë dhe dëbimin e shqiptarëve

“Me letrën e drejtuar përfaqësueses së lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, znj.Kaja Kallas, kërkojmë hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës për të identifikuar dhe ndjekur penalisht përgjegjësit e këtyre krimeve”.

Kështu ka shkruar në Facebook-un e tij mbrëmjen e 3 shkurtit 2025, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, derisa ka bashkangjitur letrën që ia ka dërguar kryediplomates evropiane, Kallas, për “Natën e tmerrit” të 3 dhe 4 shkurtit 2000 ku ishin vrarë dhjetëra shqiptarë dhe ishin dëbuar mijëra të tjerë nga Mitrovica e Veriut, shkruan Demokracia.com.

Por, kjo letër e kryeministrit Kurti për kryediplomaten evropiane, Kallas, do të ishte krejtësisht në rregull, nëse nuk do të ekzistonte videoadresimi nga Zyra e Kryeministrit nga Kurti më 16 janar të vitit 2023.

16 JANAR 2023 | DITA KUR ALBIN KURTI E SHPALLI HERO KRIMINELIN OLIVER IVANOVIQ

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shokoi të gjithë shqiptarët kur më 16 janar të vitit 2023, publikoi një videomesazh përkujtimor për politikanin e ndjerë serb, Oliver Ivanoviq, në përvjetorin e pestë të vrasjes së tij.

Nëse video nuk do të ishte publikuar nga Qeveria e Kosovës, do të dukej e pabesueshme, shkruan Demokracia.com.

“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij”, thoshte Kurti në videomesazhin e tij në gjuhën serbe, të titruar në shqip.

“Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord”, vazhdonte Kurti mesazhin e tij të rëndë.

“Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumetnike”, thoshte ai.

Video e publikuar nga Qeveria e Kosovës:

https://www.facebook.com/GOVRKS/videos/2060623037456891/?ref=embed_video&t=1

Ky videomesazh i Kurtit kishte ngjallur reagime të mëdha në fillim të vitit 2023, pasi Oliver Ivanoviq ishte dënuar me 9 vite për krime lufte.

Por, edhe për vetë Albin Kurtin dhe Lëvizjen Vetëvendosje, Ivanoviq ishte më herët një kriminel lufte.

Kurti, si kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, në prill të vitit 2018, në një intervistë të dhënë për TV1 të Sarajevës kishte thënë se “Oliver Ivanoviq është kriminel lufte”.

Edhe Lëvizja Vetëvendosje kishte reaguar ashpër përmes një komunikate të publikuar në uebfaqen e saj, më 21 janar 2016, pas dënimit të Oliver Ivanoviqit nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

“Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi i tij. Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë asgjë më pak se sa konkretja e doktrinës së Ilia Grashaninit – vrit dhe dëbo”, thuhej ndër të tjera në komunikatën e LVV-së, e cila tashmë është fshirë nga arkivi i këtij subjekti politik.

LVV-ja e konsideronte Ivanoviqin si njeriu që ka shkaktuar vrasjen e 41 shqiptarëve, por pothuajse pas shtatë vitesh, Kurti thotë se “vrasja e Oliverit ndikoi gjithë shoqërinë”.

“Me dhjetëra dëshmitarë e prova materiale, gjyqtarëve të trupit gjykues nuk iu mjaftuan që të tregojnë barrën e vërtetë të Oliver Ivanoviqit, i cili me veprimet e tij konkrete dhe me urdhrat e dhënë ka shkaktuar vrasjen e 41 shqiptarëve, lëndimin e qindra të tjerëve dhe dëbimin e më shumë se 12 mijë qytetarëve shqiptarë. Ky trup gjykues e tregon standardin e shumëfishtë, ku për pjesëtarët e UÇK-së i mjaftojnë dëshmitë njëburimore, ndërkaq për gjykimin e kriminelëve të kalibrit të Oliver Ivanoviqit mjaftohen me shqiptimin e një dënimi, i cili në vete paraqet poshtërimin më të ultë ndaj të gjitha viktimave që kanë pësuar nga veprimet e grupit të Ivanoviqit”, theksonte asokohe LVV-ja.

Para dënimit të Oliver Ivanoviqit, Vetëvendosje kishte realizuar edhe një dokumentar, që dëshmonte krimet e tij mbi shqiptarët gjatë viteve 1999 – 2000. Në këtë dokumentar, LVV e akuzonte Ivanoviqin për vrasjen e 41 shqiptarëve. /Demokracia.com/