Hill e vazhdon edhe sot dëshminë në Hagë

Ish-diplomati amerikan Christopher Hill vazhdon sot ditën e tretë të dëshmisë në Gjykatën Speciale.

Ish-diplomati amerikan Christopher Hill dje në ditën e dytë të dëshmisë në Gjykatën Speciale, është pyetur se pse ka vendosur që të dëshmojë si dëshmitar i thirrur nga Hashim Thaçi.

“Koha nuk i shëron të gjitha, siç thuhet të gjitha plagët, por mendoj se pas 25 viteve është kohë e madhe që të mendohet, pikë së pari nuk kam arsye që të besoj se zoti Thaçi ishte i përfshirë në aktivitete të tilla, nuk kam arsye të besoj as nuk kam dëgjuar që të ketë urdhëruar aktivitete të tilla apo veprimtari të tjera të paligjshme. Siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i paraburgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje. Dhe ndjeva se duhet të thoja diçka për situatën”, tha ai.

Ai ka folur për kohën e përfundimit të luftës në Kosovë, largimin e forcave serbe dhe hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë. Ai foli edhe për vizitën e Clintonit që i bëri asaj kohe në Maqedoninë e Veriut, ku falënderoi atë për pritjen e refugjatëve kosovarë.

Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill tha se ish-presidenti Ibrahim Rugova ishte mbajtur në Beograd kundër dëshirës së tij.

Hill është dëshmitari i radhës i mbrojtjes së Hashim Thaçit. Deri më tani, Hill është dëshmitari i pestë i paraqitur nga ekipi i mbrojtjes në gjykimin “Thaçi dhe të tjerët”.