Hetimi për rezervat shtetërore, Hajdari denoncon shkelje dhe manipulim të opinionit publik

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka njoftuar se është ftuar për intervistë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në lidhje me procesin e kontraktimit të rezervave shtetërore të mallrave – një çështje të cilën ajo e konsideron me rëndësi jetike për sigurinë publike, transmeton KosvaPost.

“Sot jam ftuar për intervistë në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës për çështjen e kontraktimit të rezervave shtetërore, proces ky tepër i rëndësishëm për të gjithë ne,” shkruan Hajdari në një postim publik.

Ministrja thekson se kontraktimi i rezervave është bërë në një kohë krize globale dhe në kushte emergjente, për shkak të luftës në Ukrainë.

“Me agresionin rus ndaj Ukrainës shtetet kishin mbyllur kufinjtë e tyre dhe ndalur eksportin e produkteve thelbësore për jetesë. Ishte jashtëzakonisht e rëndë të siguroheshin rezervat e ushqimit për popullatën tonë.”

Ajo shpjegon se ky proces ishte klasifikuar si “sekret shtetëror” për arsye ligjore dhe sigurie kombëtare:
“Si çështje e sigurisë publike, e ashtu siç e kërkon ligji, ky proces u klasifikua si sekret shtetëror.”

Sipas Hajdarit, problemi qëndron te veprimet e dy hetuesve të policisë që kanë marrë dokumente të klasifikuara pa çertifikatë sigurie – gjë që ajo e cilëson shkelje ligjore.
“Në rastin e MINT, dy policë hetues pa çertifikatë të sigurisë, pra pa leje për qasje në këto dokumente, kanë marrë materialin brenda 1 ore në MINT, duke u thirrë në autorizimin e prokurorit të PSRK-së Valdet Gashi.”

Ajo shton se edhe Inspektorati Policor i Kosovës e ka konstatuar këtë shkelje:
“Këtë gjë, pra shkeljen ligjore me veprimet e policëve hetues, e ka konstatuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës, duke konfirmuar që dy policët hetues nuk ishin të pajisur me certifikatën e sigurisë të nivelit SEKRET.”

Por, sipas Hajdarit, prokurori Valdet Gashi ka ndërhyrë për të liruar nga përgjegjësia dy hetuesit policorë dhe është në konflikt interesi:
“Vetë prokurori Valdet Gashi i ka liruar policët nga përgjegjësia. Edhe pse kemi të dokumentuar pranimin e tij që gjendet në konflikt interesi në këtë rast, ai sërish vendos ta mbyllë lëndën e nisur nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe kundërligjshëm liron nga përgjegjësia penale shërbyesit e vet.”

“Pra, vet Prokurori Gashi shkel ligjin. Vet autorizon paligjshëm, vet i liron përgjegjësit nga përgjegjësia,” thekson ministrja.

Hajdari njofton se MINT ka kërkuar hetim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit dhe do të kërkojë veprime konkrete për konfliktin e interesit. Ajo gjithashtu mohon se është mbrojtur në heshtje gjatë intervistës në Prokurori:
“Prandaj, nuk është e saktë që jam mbrojtur në heshtje dhe këtë gjë po ashtu e kam të dokumentuar me procesverbal, ku kam shprehur vullnetin tim të plotë që t’iu përgjigjem prokurorëve në kushte të krijuara sipas ligjeve në fuqi lidhur me rezervat shtetërore të mallrave.”

Ministrja përfundon me një thirrje për drejtësi dhe respektim të ligjit:
“Me çështjet e sigurisë nuk duhet luajtur e as manipuluar. Konfliktin e interesit do ta dëshmojmë dhe do të kërkojmë veprime në emër të së drejtës e të drejtësisë.”

 

The post Hetimi për rezervat shtetërore, Hajdari denoncon shkelje dhe manipulim të opinionit publik appeared first on Kosovapost.net.