Policia e Kosovës, gjegjësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka nisur një fazë të re hetimore në Komunën e Obiliqit, duke intervistuar mbi 40 komisionerë dhe kryesues të qendrave të numërimit të votave.
Hetimi është në kuadër të dyshimeve për keqpërdorime gjatë procesit zgjedhor të 28 dhjetorit, mëson Paparaci.
Ky zhvillim vjen pas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila ditë më parë konfirmoi se ka autorizuar Policinë e Kosovës për të zhvilluar hetime paraprake lidhur me mospërputhjet e vërejtura gjatë rinumërimit të votave për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 në Obiliq.
Sipas Prokurorisë, gjatë rinumërimit janë evidentuar dallime të konsiderueshme në rezultatet e disa kandidatëve për deputet, çka ka ngritur dyshime për shkelje të mundshme nga persona përgjegjës në procesin zgjedhor.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton opinionin publik se po ndjek me vëmendje të plotë procesin e rinumërimit të votave për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025. Gjatë këtij procesi, ka dyshime se janë vërejtur mospërputhje në rezultatet e kandidatëve për deputet pas përfundimit të numërimit të votave në komunën e Obiliqit. Në këtë drejtim, Prokurori i Shtetit ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të fillojë hetimet paraprake, me qëllim verifikimin e saktësisë së rezultateve dhe përcaktimin nëse ka pasur shkelje të mundshme nga personat përgjegjës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në procesin e rinumërimit, më së shumti parregullësi janë evidentuar në votat e Lëvizjes Vetëvendosje.
Deputeti i kësaj partie, Gazmend Krasniqi ka 362 vota më pak pas rinumërimit.
Përpos Krasniqit, edhe deputetes Adelina Grainca i janë hequr 295 vota./Paparaci










