Hetime në shkallë të gjerë: Prokuroria aktivizohet në 20 komuna pas rinumërimit të votave

Kryeprokurori i Shtetit ka kërkuar nga kryprokurorët e prokurorive themelore që të nisin hetime në 20 komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave.

Koordinatorja nacionale për zgjedhje Laura Pula u ka kërkuar kryeprokurorëve që të fillojnë me grumbullimin e informatave mbi keqpërdorimet e dyshuara në procesin zgjedhor.

“Koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula, pas evidentimit të mospërputhjeve të votave gjatë numërimit brenda subjekteve politike për deputet, në rajone të ndryshme të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga kryeprokurorët e të gjitha prokurorive themelore që në të gjitha komunat ku ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave, të fillojnë grumbullimin e informatave të nevojshme dhe të sigurojnë prova relevante, që vërtetojnë kryerjen e ndonjë vepre penale që ndërlidhet me procesin zgjedhor”, thuhet në një njoftim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Po ashtu, koordinatorja nacionale për zgjedhje, prokuroja Laura Pula ka kërkuar që edhe në komunat ku ende nuk ka përfunduar procesi i rinumërimit të votave që “menjëherë pas përfundimit të këtij procesi të fillohet nga prokuroritë përkatëse procesi i grumbullimit të provave të nevojshme.”

Prokurori i Shtetit tha se do të mbetet i angazhuar për ta mbrojtur votën e lirë të qytetarëve dhe “do të hetojë çdo rast, për të cilin kanë dyshime është keqpërdorë – falsifikuar vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë.”