43-vjeçari Ahmed al Ahmed rrezikoi jetën për të shpëtuar civilë.
Një qytetar që u kthye në hero gjatë sulmit me armë zjarri në Bondi Beach në Sydney, u qëllua dhe ndodhet në spital në pritje të ndërhyrjes kirurgjikale, kanë bërë të ditur familjarët e tij.
Pamje tronditëse të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momentin kur burri i afrohet nga pas njërit prej autorëve të armatosur, i cili po qëllonte në drejtim të qytetarëve që po largoheshin me panik. Ai e rrëzon përdhe autorin dhe i rrëmben armën nga duart, duke ndalur përkohësisht sulmin.
Pasi e çarmatos, burri drejton armën nga sulmuesi, i cili zvarritet dhe largohet drejt një sulmuesi të dytë që vijonte të qëllonte mbi turmën.
Menjëherë pas kësaj, qytetari ngre duart lart për t’u identifikuar si i padëmshëm për forcat e policisë, vendos armën në tokë dhe largohet nga vendngjarja.
Duke folur për median australiane 7NEWS, një i afërm i tij, Mustafa, zbuloi se heroi është kushëriri i tij, Ahmed al Ahmed, 43 vjeç, baba i dy fëmijëve.
Sipas tij, Ahmed nuk kishte asnjë përvojë me armët e zjarrit dhe ndodhej rastësisht pranë vendit të ngjarjes kur vendosi të ndërhynte për të shpëtuar të tjerët.
Në kaosin e krijuar, ai u qëllua dy herë dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spital.
“Ai është në spital dhe ende nuk e dimë saktësisht gjendjen e tij. Shpresojmë që të jetë mirë. Ai është një hero, 100 për qind”, u shpreh Mustafa.
Sulmi në Bondi Beach ka shkaktuar 11 viktima dhe ka tronditur opinionin publik në Australi, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për rrethanat dhe motivet e ngjarjes.











