Heqja e taksave, Osmani: Kosova partner i besueshëm i SHBA-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se nga sot ka hyrë në fuqi vendimi për heqjen e plotë të tarifave doganore për të gjitha produktet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në një postim në platformën X, Osmani theksoi se Kosova është vendi i parë që ka propozuar eliminimin e të gjitha barrierave ndaj aleatit më strategjik, duke i dërguar një mesazh të qartë SHBA-së.

“Për Presidentin amerikan dhe popullin amerikan: Kosova është partneri juaj i besueshëm në përpjekjet për ta bërë Amerikën dhe aleatët e saj më të fortë, më të sigurt dhe më të begatë”, shkroi Osmani.

Ajo rikujtoi se kishte kërkuar formalisht nga Qeveria e Kosovës pezullimin e tarifave për mallrat amerikane, si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve ekonomike dhe politike mes dy vendeve.

Ky veprim shihet si një përkushtim i qartë i Kosovës për thellimin e bashkëpunimit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

The post Heqja e taksave, Osmani: Kosova partner i besueshëm i SHBA-së appeared first on Kosovapost.net.