Heqja e masave ndaj Kosovës, pas tranzicionit të rregullt të pushtetit në veri: Çka thuhet në draftin e Këshillit të BE-së?

Bashkimi Evropian vazhdon të mbajë në fuqi masat kundër Kosovës.

E kjo mund të vazhdojë derisa të vërtetohet tranzicioni i pushtetit në veri.

Kështu thuhet në disa prej konkluzave që pritet të miratohen nga ministrat e vendeve të BE-së.

“Këshilli merr në dijeni heqjen e mëtejme të masave pas transformimit të rregullt të pushtetit lokal në veri të Kosovës dhe deeskalimin e qëndrueshëm”, thuhet në draftin e këtyre konkluzave. “Këshilli përsërit pritjet për riintegrimin e serbëve të Kosovës, duke nisur me pjesëmarrjen e tyre inkluzive në institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, duke pasuar me riintegrimin e pakusht të personelit të kualifikuar gjyqësor dhe policor në përputhje me marrëveshjet e dialogut dhe respektin e plotë të kornizës ligjore të Kosovës”, thuhet në këtë raport, një pjesë të të cilit e ka publikuar RTK dhe Koha.

Këshilli i Ministrave përmes konkluzave vëren me shqetësim ngërçin e zgjatur politik pas zgjedhjeve parlamentare dhe pret një proces zgjedhor të administruar mirë dhe gjithëpërfshirës në prag të zgjedhjeve të parakohshme të caktuara për 28 dhjetor.

Sa i përket procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Këshilli i Ministrave do të rikujtojë se si Kosova, ashtu edhe Serbia, e kanë progresin në rrugëtimin evropian të kushtëzuar me përpjekjet për zbatimin e plotë të të gjitha angazhimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e vitit 2023.

“Të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit në normalizimin e marrëdhënieve të tyre. Këshilli pranon se kontekstet politike të brendshme, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, kanë paraqitur sfida për përparimin dhe shpreh keqardhje që zbatimi i disa marrëveshjeve të Dialogut mbetet i paplotë nga të dyja palët”, thuhet në draft.

Nga Kosova do të kërkohet përsëri që pa vonesa të nisë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe të nisë të japë rezultate në obligimet nga marrëveshja e vitit 2023 duke çuar drejt marrëveshjeve dhe garancive specifike për një nivel të përshtatshëm të vetmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë.

Ndërsa nga Serbia kërkohet që të nisë procedurat për njohjen e dokumenteve dhe simboleve dhe të përmbahet nga kundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare.

“Këshilli shpreh shqetësim të thellë që Serbia akoma nuk i ka përmbushur pritjet për llogaridhënie të plotë dhe shpreh keqardhje të thellë për veprimet e pamjaftueshme në këtë drejtim, përfshirë edhe shkeljen e procedurave nga dialogu rreth asistencës së ndërsjellë”, thuhet në këtë dokument.

Konfirmohet gatishmëria e shefes së diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, për të organizuar një raund të ri të dialogut në nivelin më të lartë politik sapo të krijohen kushtet e favorshme, ndërsa palët ftohen të shfrytëzojnë mundësinë për të arritur rezultate konkrete.