Thierry Henry, edhe pse me zemër te Barcelona, përfundoi duke pranuar meritat e Real Madridit në studion e “CBS Sports Golazo”: “Anoj shumë nga Barça, por duhet t’i njohim shumë merita Real Madridit. Askush nuk e parashikoi të vinte kjo. Dhe askush nuk e priste që Valverde të shënonte ‘hat-trick’. Kushdo që thotë se e dinte që Valverde do të realizonte tre gola, gënjen”.
Ish-lojtari i Arsenalit dhe Barcelonës theksoi se çelësi i fitores së thellë 3-0 ishte përpjekja kolektive: “Dua të flas për sakrificën që bënë të gjithë madrilenët sonte. Kështu fitohen ndeshjet, të gjithë mbronin për njëri-tjetrin. Dhe Valverde mori shpërblimin e tij. Ai ka qenë një shërbëtor i madh i klubit dhe të shënojë tre gola nuk është diçka që i ndodh shpesh”.
Henry u ndal edhe te një tjetër emër, i riu Thiago Pitarch: “Dua të flas për…, nuk di si t’ia shqiptoj emrin, Pitarch. E pashë me shumë vëmendje sonte. Çfarë ndeshjeje! Vraponte kudo”. Ai shtoi me humor: “Nuk e di çfarë ka ajo fanellë. Ndoshta, nëse e vesh, më ndihmon të më rriten flokët”. Në fund pranoi: “Nuk e prisja këtë nga Real Madridi. Edhe pse më dhemb ta them, bravo”.
The post Henry: Nuk e prisja këtë nga Real Madridi. Edhe pse më dhemb ta them, bravo appeared first on Telesport.










