“Hëna e përgjakur” do të shihet në fundjavë

Këtë fundjavë, gjysma e globit do të bëhet dëshmitare e të famshmit eklips të plotë të Hënës, që njihet edhe si “Superhëna e përgjakur”.

Për Amerikën e Veriut dhe Amerikën Qendrore, fenomeni do të shihet të dielën mbrëma, ndërsa për pjesën më të madhe të Amerikës së Jugut dhe Europës Perëndimore, spektakli do të ndodhë në orët e para të së hënës.

Sipas ekspertëve të NASA-s, ky do të jetë një eklips perfekt për Amerikën dhe Europën Perëndimore, ku do të mund të shihet i gjithë spektakli, nga fillimi në fund.

Gjatë eklipsit të plotë, Hëna përfshihet nga hija e pjesshme e jashtme e Tokës dhe e humbet shkëlqimin e saj. Më pas hyn nën hijen e brendshme, më të errët të Tokës, dhe fillon eklipsimi. Një pjesë e saj madje do të bëhet e kuqe. Kur hija e Tokës të ketë përfshirë të gjithë Hënën, ky është momenti kulmor.

Gjithçka mund të ndiqet me sy të lirë, sidoqoftë ekspertët rekomandojnë edhe përdorimin e dylbive apo një teleskopi të vogël.