Helikopteri i Trump u detyrua të bëjë ulje emergjente teksa ai dhe Melania po largoheshin nga Mbretëria e Bashkuar

Helikopteri Marine One i Donald Trump bëri një ulje emergjente në një aeroport të Mbretërisë së Bashkuar sot me presidentin e SHBA-së dhe gruan e tij Melanian në bord.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, helikopteri presidencial pësoi ‘një problem hidraulik’ ndërsa fluturonte për në Aeroportin e Stansted nga prona e Kryeministrit në Chequers, ku Donald Trump ishte takuar me Sir Keir Starmer për një konferencë të përbashkët për shtyp.

Zyrtarët thanë se fluturakja u ul në Aeroportin e Lutonit ‘për shkak të kujdesit të tepruar’.

Presidenti i SHBA-së, i cili ka qenë në Mbretërinë e Bashkuar për një vizitë historike të dytë shtetërore, u transferua në një helikopter ‘mbështetës’ i cili po fluturonte në formacion dhe vazhdoi udhëtimin për te aeroplani i Air Force One në Stansted.

Askush nuk u lëndua dhe presidenti mbërriti në aeroport 20 minuta pas orarit.

Çifti më pas hipi në Air Force One për udhëtimin e tyre të kthimit në Shtëpinë e Bardhë.

Fotografitë nga vendi i ngjarjes tregojnë automjete emergjente dhe policë të armatosur në pistën e Aeroportit të Lutonit.

Ndërkohë imazhe të ndara tregojnë të dy helikopterët e zotit Trump, të njohur si Marine One dhe Marine Two, pak jashtë pistës.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha në një deklaratë: “Për shkak të një problemi të vogël hidraulik, dhe për shkak të kujdesit të tepruar, pilotët u ulën në një aeroport lokal para se të arrinin në aeroportin e Stansted”.

“Presidenti dhe zonja e parë hipën në mënyrë të sigurt në helikopterin mbështetës”.

“Presidenti dhe zonja e parë më vonë arritën të hipnin në Air Force One për udhëtimin e kthimit nga Mbretëria e Bashkuar”.

Trump ka përdorur helikopterin e tij Marine One për të udhëtuar midis vendeve të ndryshme në vizitën e tij historike në Mbretërinë e Bashkuar.