Ministri në largim i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka emëruar përsëri në mënyrë kundërligjore Kryeinspektorin e Punës, fillimisht Hekuran Niçkin, e së fundmi Rizah Plakollin.
Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka miratuar si të bazuar ankesën e parashtruar më 7 mars 2025 nga Agim Millaku, duke kërkuar shfuqizimin e vendimit të Muratit të datës 6 mars 2025.
Në vendimin e saj, KPMSHCK ka potencuar se Ministri është i obliguar të zbatojë këtë vendim brenda një afati prej 15 ditësh nga dita e pranimit të tij, duke e cilësuar procesin e emërimit si të pa përputhshëm me ligjin.


Nga burime të veta, Insajderika mësuar se i emëruar i Muratit është bashkëshorti i vajzës së kryetarit të OVL-UÇK-së Hysni Gucati.
Çka tjetër thuhet në vendim?
Ministri në largim i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka vepruar në kundërshtim me ligjin kur e ka emëruar Rizah Plakollin si ushtrues detyre të Drejtorit të Ekzekutivit të Inspektoratit Qendror të Punës, ka konstatuar Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.
Vendimi i Muratit, i datës 6 nëntor 2023, është kundërshtuar nga Agim Millaku, i cili nga 1 janari 2012 mban pozitën e Zëvendës Kryeinspektorit të Punës për Siguri në Punë. Millaku ka argumentuar se në mungesë të Kryeinspektorit, detyra duhet t’i caktohet zëvendësit përkatës, sipas ligjit në fuqi.
KPMSHCK ka shqyrtuar ankesën dhe, pas kërkesës për përgjigje nga ministria më 24 mars 2025 dhe pranimit të dokumentacionit përkatës më 4 prill 2025, ka vendosur që ankesa është e bazuar dhe e drejtë. Kolegji i shqyrtimit ka konfirmuar se vendimi i ministrit është në kundërshtim me dispozitat ligjore materiale dhe procedurale.
Në vendim thuhet se veprimi i ministrit Murati ka shkelur katër ligje të rëndësishme:
Ligjin Nr. 06/L-197 për Zyrtarët Publikë,
Ligjin Nr. 06/L-113 për Organizimin e Administratës Shtetërore,
Ligjin Nr. 2002/9 për Inspektoratin e Punës,
si dhe Ligjin Nr. 08/L-063 për Agjencitë e Pavarura.
Në bazë të nenit 4.4 të Ligjit për Inspektoratin e Punës, zëvendësimi i Kryeinspektorit në mungesë bëhet nga një zëvendës i caktuar për fushën përkatëse, dhe në këtë rast Millaku ka qenë personi kompetent për të marrë përsipër detyrën.
Gjithashtu, Ligji për Administratën Shtetërore përcakton se ushtruesit e detyrës në agjencitë rregullatore emërohen vetëm me propozim të Qeverisë, dhe jo në mënyrë të njëanshme nga ministri.
Bazuar në këto gjetje, KPMSHCK ka urdhëruar shfuqizimin e menjëhershëm të vendimit të ministrit Murati, duke konstatuar qartë se është cenuar procedura ligjore për emërimin në pozita të larta publike.
Vendimin e plotë e gjeni KËTU.
Shkeljet ligjore në procesin e emërimit të Kryeinspektorëve të Inspektoratit të Punës nuk janë të reja.
Një rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në korrik të vitit 2022, kur Qeveria e Kosovës, me propozim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, kishte votuar Hekuran Nikçin për të marrë detyrën e Kryeinspektorit të Punës.
Megjithatë, ky vendim ishte marrë në kundërshtim të qartë me legjislacionin në fuqi, pasi ligji kërkon që për këtë pozitë të zhvillohet një konkurs publik dhe procedurë transparente e përzgjedhjes, gjë që nuk kishte ndodhur në këtë rast.
Pas një monitorimi të jashtëzakonshëm, të bazuar në dokumentacionin e rastit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte konstatuar parregullsi serioze dhe kishte kërkuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës që të anulohej vendimi i Qeverisë për emërimin e Nikçit.